2006-03-21 18:13:55

Figura e Shën Benediktit abat, atë i monakizmit perëndimor


(21. 03. 06 R.V.) Për figurën e Shën Benediktit na flet abati benediktin Edmund Pauer, i abacisë së Shën Palit jashtë mureve të Romës:
****
- Shën Benedikti është personazh simbolik, me rëndësi të dorës së parë për historinë e Evropës, sepse është urë që lidh kulturën e lashtë, dmth kulturën klasike - kujtojmë se ai u lind në Norçia ndërmjet mureve të këtij qyteti romak - dhe traditën patriotike e monastike. Ai mundi t’i bashkonte këto elemente në një mënyrë shumë të arsyeshme, shumë të moderuar, me shumë gjallëri.
***
- Vetë Rregulli është simbol i këtij ekuilibri...
***
- Ky Rregull është pikënisje e transmetimit të një kulture të lashtë, të pasur, të krishterë edhe romake, që mundi t’u bëjë ballë shekujve e ta çojë përpara këtë qytetërim. Kjo më duket gjëja kryesore, e pastaj, gjatë Mesjetës së lartë, tradita benediktine pati ndikim të jashtëzakonshëm mbi aspekte të ndryshme të kulturës evropiane.
***
- Atë abat Pauer, cilat janë, sipas jush, sfidat e Urdhërit benediktin në Evropën tonë të sotme?
***
- Sfida e sotme është mjaft e madhe; ka të bëjë me vlerat e krishtera në botën bashkëkohore, gjë që e vërejmë edhe në shkëmbimin e letrave ndërmjet Atit të Shenjtë e Patrikut të Moskës. Patriku nënvizon pikërisht se duhen mbrojtur së bashku vlerat e krishtera të Evropës. Për ne, benediktinët, natyrisht që detyra e parë është të kërkojmë Zotin, por nuk jemi të lidhur me asnjë farë mënyrë jetese, me asnjë lloj veprimtarie të posaçme, jemi më shumë në shërbim të jetës njerëzore në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Nga ky këndvështrim mund të kërkojmë mënyrat për t’iu përgjigjur sfidës së kohës. Nuk jemi të shumtë, si në të kaluarën, sepse tani ka shumë kongregata e lëvizje të tjera në Kishë, por për ne kërkimi i Zotit është themelor, sepse kërkimi i së vërtetës e dhe vetë e vërteta është e lidhur me bukurinë e, vlerësimi që i bëjmë kulturës, është njëkohësisht edhe vlerësim i së bukurës. Në fund të fundit bukuria e vërtetë është vetë Hyji, atëherë të kërkosh fytyrën e Zotit, fytyrën e së vërtetës do të thotë të kërkosh të vërtetën e kjo është edhe baza e çdo veprimtarie kulturore në çdo shoqëri, në çdo epokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.