Festa e Shën Jozefit, fatit të Virgjërës Mari dhe Pajtor i Kishës universale
(20. 03. 06 R.V.) Më 19 mars bashkësia kishtare kremton Shën Jozefin, fat i
Virgjërës Mari e Pajtor i Kishës universale. Për shkak të përkimit me të Dielën e
tretë të Kreshmëve, këtë vit kujtimi liturgjik u shty për sot. Sipas traditës, në
festën e atit të kujtuar të Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve. Por për një
përshkrim historik të figurës së Shën Jozefit dhe një reflektim për shembullin e shenjtërisë
së tij, të ndjekim kardinalin Marco Cé, patrik nderi i Venedikut, në mikrofonin
tonë: *** - Një njeri i drejtë, zbatues i ligjit, me profesion marangoz,
që vuajti dramën e amësisë misterioze hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr,
e pranoi me fe planin e Hyjit. 40 ditë pas lindjes, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën
në Jeruzalem për ta paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli
një ardhmëri misterioze për këtë fëmijë. Jozefi e dëgjoi e i besoi përsëri Zotit.
Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën me vete në shtegtim drejt Jeruzalemit;
e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet. E ëma e pyeti
pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi dha një përgjigje që as Maria e as
Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind. Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar
që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart e Zotit. *** - Nganjëherë të krijohet
përshtypja se figura e Shenjti mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë klasike. Pse,
sipas jush? *** - Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm heshtjen
e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrim absolut para vullnetit të Zotit, lëshim
i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit,
edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi
ishte plotësisht heroik e gati –gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte
Jezusi. *** - Ç’vlerë ka figura e tij sot? *** - Koncili II i Vatikanit
ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën thirrjes të të gjithë të
pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Gjon Pali II, në Letrën apostolike
Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të zakonshme për promovimin
e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për të jetuar çdo ditë si
bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi pikërisht kështu. E jetoi
me besnikëri të jashtëzakonshme jetën e zakonshme që i kishte caktuar Zoti. *** -
Ç’mësim mund të nxjerrin baballarët e sotëm nga figura e Shenjtit? *** -
Duhet të mësojnë sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen dashur
e nuk duhen zotëruar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë
duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi
zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak
nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet
sa më mirë që të jetë e mundur...