2006-03-19 17:06:25

Rubrika “Shenjtorët e Javës”


(19. 03. 06 R.V.) Sot, e Diela III e Kreshmëve, Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Gjonin abat.
Nesër, e hënë, do të kremtojë solemnitetin e Shën Jozefit, fatit të Virgjërës Mari, Pajtor i Kishës universale. Pasardhës i Jakobit, Jozefi bëhet fati i Virgjërës Mari nga e cila, për virtyt të Shpirtit Shenjt, lindi Jezu Krishti, Zoti ynë. Solemniteti na kujton se Hyji është besnik në të gjitha premtimet e tija. Në të njëjtën ditë do të përkujtohet edhe Shën Gjon Nepomuçeni, meshtar e martir.
***
Të martën do të përkujtohet Shën Nëkolli i Fyjesë, pajtor i Zvicrës. Liturgjia e festës së tij na kujton dy nga shtigjet më të mira nëpër të cilat duhet të ecin ata që duan të arrijnë në qiell: ta falësh me gjithë zemër vëllaun që ka gabuar dhe të kesh durim e dhembshuri për njerëzit që kalojnë çaste të vështira.
***
Të mërkurën e ardhshme do të përkujtohen Shën Lea, vejushë romake dhe Shën Pali, ipeshkëv i Narbonës të cilët na kujtojnë se Ligji e Profetët janë udha që Ati qiellor ka përzgjedhur për të na e dorëzuar Birin e vet, atë që e përmbush zbulesën.
***
Të enjten do të kremtohet Shën Turibi i Mogrovejos, ipeshkëv i Limës. Na kujton se për të mos i humbur më kot forcat e mbretërisë së Hyjit, duke i lënë në duart e shejtanit, duhet të jemi gjithnjë në bashkim me Krishtin.
***
Të premten e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë Shën Katerinën e Suedisë, virgjër, bija e Shën Brigjidës. Liturgjia e festës së Shenjtores suedeze na kujton se fjalët e jetës së amshuar mund t’i dëgjojmë vetëm nga Zoti Jezus.
*** Të shtunën e ardhshme do të kremtohet solemniteti i Lajmërimit të Zotit e, me të, edhe Shën Hajduti i Mirë, Shën Kuirini Martir, Shën Luçia Filippini, virgjër, themeluese e Mësueseve Pie Filipini, që shërbejnë prej vitesh edhe në Shqipëri e sidomos në Berat. Jeta e tyre, dhuruar Zotit na kujton lajtmotivin e shenjtërisë: “Jam gati, o Zot, u bëftë mbi mua vullneti yt!” RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.