Paqja përtej ndarjeve etnike, familja, sektet dhe Sida: sfidat për Kishën e Kamerunit
në fjalët e Papës drejtuar ipeshkvijve në vizitë ad Limina
(18. 03. 06 R.V.) “Sigurimi i paqes, pa marrë parasysh ndarjet etnike, familja,
sektet e Sida janë sfidat kryesore për Kishën e Kamerunit” – sipas fjalëve që Papa
Benedikti XVI u drejtoi sot ipeshkvijve të vendit afrikan, të cilët i priti në përfundim
të vizitës së tyre ad Limina – tek Varret e Apostujve.
Paqja
duhet t’i kapërcejë kufijtë e përçarjeve etnike, veprimtaria baritore duhet të jetë
në gjendje të përballojë krizën që kërcënon familjen, sulmin e sekteve dhe të Sidës:
këto janë sfidat për të cilat u foli Benedikti XVI ipeshkvijve të Kamerunit. Rrethanat
ekonomike të pafavorshme, lidhjet familjare të vëna në provë të rëndë, sulmi i sekteve,
që përfitojnë nga bestytnitë e njerëzve për t’i larguar nga Krishti dhe nga Kisha,
praktikat e ndryshme fetare që shumfishohen ndër bashkësitë, shuplaka e Sidës janë
problemet që duhet të ketë në qendër të vëmendjes Kisha e vendit afrikan. Papa i
nxiti ipeshkvijtë të vijojnë ecjen në rrugën e dialogut të sinqertë e durimtar, të
jetuar me vërtetësi e dashuri, në një vend si Afrika Qëndrore, e martirizuar nga
luftërat.