2006-03-18 18:10:52

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Kreshmëve, ciklit të dytë sipas kalendarit kishtar.“B"


18.03.'06 R.V.)Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do t’i dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës së Kreshmëve, duke vijuar kështu me përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve.
Tema kryesore që nënvizojnë leximet biblike të kësaj së diele, është ‘kulti shpirtëror i popullit të Zotit’. Tri pikat që na propozojnë leximet biblike të kësaj së diele: 1) korpi i Krishtit si tempulli i ri për takimin ndërmjet Zotit e njerëzve; 2) 10 urdhërimet, perspektivë e çlirimit për njeriut nga vetvetja e nga skllavëria e dëshirave; 3) kryqi i Krishtit, forcë e urti e Zotit – nxisin reflektimin e të krishtërit që mendon seriozisht të përgatitet për Pashkë, jo si takim liturgjik i përvitshëm, po si kthesë e ndryshim i vërtetë i jetës, për çka përfundimisht mund të përshkohen gjurmët e shtigjeve të Zotit.
Prandaj, lypet ta pastrojmë zemrën tonë, t’i flakim kompromiset e krishenimit tonë të lehtë, të pa shije, të paqendërueshëm e të druajtur, për të rindërtuar në “tre ditë” një tempull në cilin të adhurohet Zoti, duke i bërë apel forcës së Shpirtit të marrë në pagëzim. Themeli i këtij tempulli qëndron në vetëdijen se kryqi ynë përbën dëshmimin për t’ia ofruar njerëzimit: një fe koherente e serioze, të urtë e të fuqishme të jetuar e të mishruar në përditshmërinë tonë, ashtu sikur Zoti e do, të fort në shpresë e përdëllyese.
Zoti, është thënë në të dielat e kaluara, gjithmonë i ka kërkuar njeriut një provë, një dëshmi të besnikërisë së vet, duke i dhënë mundësinë e lirinë e përcaktimit dhe të zgjedhjes së lirë. Kështu ndodhi me Noenë e Abrahamin. Në këtë të diele, Zoti shkon më tej, njeriut ia beson dekalogun (dhjetë urdhërimet), sikur do të dëgjojmë nga leximi i parë (marrë prej Librit të Daljes 20,1-17). Përmbajtja e dekalogut është morale e fetare. Eshtë fjala e Zotit drejtuar njeriut në mënyrë që ky të jetojë e të hyjë në bashkim e në besëlidhje me të.
Rregulloret që përmbahen në dekalog, megjithëse janë parime të ligjit natyror, për faktin se janë të inseruara në Besëlidhje me Zotin, marrin domethënien e bindjes në fe. Kjo bindje apo dëgjes, në kryqin e Krishtit, shkandull e marrëzi ( leximi i dytë nga Letra e parë e Shën Palit apostull drejtuar Korinrtasve 1,22-25) e gjenë përgjigjen më të lartë e përfundimtare.
Përkundra dekalogut, kulti ndaj Zotit ( lutjet, marrja e sakramenteve e tjera) rrezikon të jetë ritualistik, i jashtëm, i instrumentalizuar. Gjestet, fjalët e manifestimet tjera drejtuar Zotit ( sikur pohon Ungjilli i kësaj së diele nga Shën Gjoni 2,13-25) duhet të jenë shenja të një sjelljeje të brendshme, të një “kulti shpirtëror” të vërtetë, manifestim autentik i marrëdhënies me Zotin. Kulti që i pëlqen Zotit është ai i zemrës që sinqerisht i drejtohet Atij. Vendi i kultit, na kujton ungjilli, prej tashit e tutje do të jetë zemra e besimtarit. Tempulli i ri do të jetë Korpi i Jezu Krishtit, i vdekur ( shkatërruar) e i ngjallur ( rindërtuar).
Kështu, pra, Mesha e Shenjtë është rast për të takuar të tjerët… po sidomos takim i Zotit me popullin e vet, me bijtë e vet. Fjala e Zotit e kësaj së diele na ndihmon ta pastrojmë jetën tonë fetare, na zgjon e vënë në lëvizje, duke thirrur në liri, në risi, në të pamunduren, të jemi tempulli i Zotit. Zoti na thotë:” të mos të kesh tjetër Zot, përveç Jahves, meje”, mos e deformo Zotin e vëretetë, Atë që të ka liruar nga skllavëria e robërimit të mëkatit dhe vdekjes, por gjejë guxim, forcë për të përshkuar gjurmët e udhës së Kalvarit, e udhës së Kryqit për të shijuar jetën e të Ngjallurit.
Paloka…Komentin e leximeve biblike të kësaj së diele ta dëgjojmë nga dom Marjan RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.