2006-03-18 17:51:49

Benedikti XVI përfaqësuesve vatikanas ndërkombëtarë: jeta dhe të drejtat e njeriut duhen mbrojtur nga çdo formë arbitrariteti ose interesi politik


(18. 03. 06 R.V.) Të mbrojnë jetën dhe të drejtat e njeriut nga shpërdorimet ose interesat politike partiake, sipas drejtësisë dhe së vërtetës: për këtë i ftoi Benedikti XVI përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë pranë Organizmave ndërkombëtare ndërqeveritare.

Selia e Shenjtë dhe përfaqësuesit e saj luajnë një rol themelor në gjirin e Organizatave ndërkombëtare për të promovuar paqen dhe drejtësinë si dhe për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e njeriut nga çdo formë arbitrariteti. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e sotme me përfaqësuesit e 16 Organizmave ndërkombëtare, pranë të cilave është e akredituar sot Selia e Shenjtë. Audienca me Papën përmbylli një takim dyditor, që u mbajt dje e sot, gjatë të cilit vëzhguesit e Vatikanit shkëmbyen mendime me udhëheqës të Sekretarisë së Shtetit dhe të disa dikastereve papnore. Në mënyrë të posaçme – njofton një komunikatë – argumentet e diskutimit nënvizuan bashkëpunimin Selisë së Shenjtë me organizatat katolike ose me frymëzim katolik, që veprojnë në gjirin e Organizatave ndërkombëtare ndërqeveritare dhe evoluimin e konceptit mbi të drejtat e njeriut.
Është një prani në fushën ndërkombëtare të shahut, që tingëllon si zëri i “ndërgjegjes”, më i lartë se kundërvëniet diplomatike ose grindjet territoriale, sepse është i interesuar të mbrojë paqen dhe jetën e njerëzve nga arroganca dhe shpërdorimet. Është zëri i Selisë së Shenjtë që jehon përmes emisarëve të saj zyrtarë ndër këto seli – nga OKB-ja e Nju Jorkut ose e Gjenevës - në Organizatën botërore të tregtisë e të turizmit – ku orientohen fatet e Shteteve. Është fjala për një pjesëmarrje gjithnjë në rritje, delikate dhe të mundimshme – tha Papa Benedikti XVI në fillim të fjalimit të tij – por që vijon t’i japë zë ndërgjegjes të atyre që përbëjnë bashkësinë ndërkombëtare.
Në sajë të punës së vëzhguesve të saj ose të përfaqësuesve të përhershëm – nënvizoi Papa – Selia e Shenjtë kontribuon për respektimin e të drejtave të njeriut, për të mirën e përbashkët, për lirinë dhe drejtësinë e vërtetë. Është një impenjim i posaçëm dhe i pazëvendësueshëm, që mund të bëhet edhe më i frytshëm në se bashkohen forcat e atyre që bashkëpunojnë me përkushtim besnik në misionin e Kishës në botë. Duke folur për veprimtarinë konkrete të përfaqësuesve vatikanas, Benedikti XVI i nxiti të përdorin forcën pa armë, por në fund të fundit mbisunduese, të së vërtetës në mbrojtje të njeriut edhe kur – vërejti Shenjtëria e Tij – politika e shteteve ose shumica e opinionit publik lëvizin në drejtim të kundërt. E vërteta e gjen forcën në vetvete e jo në numrin e njerëzve që e pëlqejnë:
***
“Marrëdhëniet ndërmjet shteteve e ndër shtete janë të drejta në atë masë me të cilën ndër to respektohet e vërteta. Por kur e vërteta poshtërohet, paqja kërcënohet, e drejta rrezikohet, atëherë, për pasojë logjike, nxiten padrejtësitë. Ato janë kufijtë që ndajnë vendet në mënyrë shumë më të thellë se sa kufijtë e ravijëzuar mbi hartat gjeografike e, shpesh herë, jo vetëm kufijtë e jashtëm, por edhe ato të brëndshëm të shteteve”.
***
Këto padrejtësi – pohoi Benedikti XVI, shfaqen me shumë fytyra, si për shembull fytyra e mungesës së interesimit ose e çrregullimit, që arrin të dëmtojë rëndë strukturën e asaj qelize nga e cila përftohet shoqëria, që është familja:
***
“Ose fytyrën e prepotencës a të arrogancës, që mund të arrijë deri në arbitraritet, duke ia mbyllur gojën atij që nuk ka zë ose që nuk ka forcë ta ngrejë zërin, që ta dëgjojnë të gjithë, siç ndodh në rastin e padrejtësisë, e cila sot është ndoshta më e rënda, shkatërrimit të jetës njerëzore që përgatitet të lindë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.