2006-03-17 18:10:20

Homazhi i Benediktit XVI për martirizimin e Kishës ukrainase gjatë regjimit sovjetik


(16. 03. 06 R. V.) Letër e Papës Benedikti XVI drejtuar kardinalit Lubomir Husar, kryeipeshkëv i Kiev-Haliç, me rastin e 60-vjetorit të pseudo-sinodit të Leopolit, i cili më 1946 e shtrëngoi Kishën greko-katolike të Ukrainës të ‘rizbriste ndër katakombe’.

Aso kohe Ukraina bënte pjesë në Bashkimin Sovjetik. Para këtyre ngjarjeve të trishtuara – shkruan Papa – besimtarët e Ukrainës në Krishtin kishin mbetur besnikë, pavarësisht nga fakti se persekutoheshin, shtypeshin, mbeteshin pa barinj për shkak të një aparati shtetëror ideologjik çnjerëzor. Por në këtë ditë të vitit 1946 – kujton Benedikti XVI – një grup kishtarësh, të mbledhur në një pseudo-sinod që përvetësoi të drejtën për ta përfaqësuar Kishën, cënoi rëndë bashkimin kishtar. Kjo ndikoi në shtimin e dhunës kundër atyre që i kishin mbetur vërtetë besnikë bashkimit me Ipeshkvin e Romës, duke i hapur udhën vuajtjeve të reja. Por, ndonëse përmes provave dhe mundimeve të papërshkrueshme, Provania Hyjnore nuk lejoi të zhdukej një bashkësi e cila për shekuj me radhë qe konsideruar si pjesë e ligjshme e plot gjallëri e identitetit të popullit ukrainas. Kisha greko-katolike vijoi të jepte dëshminë e vet të bashkimit, të shenjtërisë, të karakterit të saj katolik e apostolik, si kishë e Krishtit.
Kujtimi i asaj që ndodhi gjatë 60-vjetëve – shkruan Benedikti XVI – duhet të bëhet nxitje për bashkësinë, e cila i është besuar kujdesit baritor të Hjerarkisë së riorganizuar greko-katolike në Ukrainë, për të thelluar lidhjen e saj të ngushtë, plot bindje, me pasardhësin e Shën Pjetrit. Prej kësaj Kishe, të spastruar nga persekutimet, kanë gurruar lumenj uji të gjallë jo vetëm për katolikët e Ukrainës, por për mbarë Kishën katolike të përhapur kudo nëpër botë.
Papa nënvizon se për të ruajtur integritetin e trashëgimisë kishtare ukrainase është e rëndësishme të sigurohet prania e dy drejtimeve të të njëjtës traditë - drejtimit latin e atij lindor. I dyfishtë është edhe misioni që i është besuar Kishës greko-katolike në bashkim të plotë me Pjetrin: nga njëra anë ka për detyrë ta mbajë të dukshme në Kishën katolike traditën lindore; nga ana tjetër, të favorizojë takimin e traditave, duke dëshmuar jo vetëm pajtueshmërinë e tyre, por edhe unitetin e thellë në larmi.
Së fundi Ati i Shenjtë lutet që ky përvjetor të nxisë gjithçka që favorizon bashkimin: dashurinë vëllazërore, faljen e fyerjeve e të padrejtësive të pësuara në rrjedhën e historisë, me vetëdijen e plotë se kështu shprehet bindja ndaj urdhërit të Krishtit: “Që të jenë një gjë e vetme!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.