2006-03-16 13:26:31

Papa delegacionit të Komitetit të Hebrenjve Amerikanë: të bashkëpunojmë me islamin për të edukuar respektin për fetë, simbolet e fesë, vendet shenjte e të kultit


(16. 03. 06 R. V.) Ditë e ngarkuar me audienca e sotmja për Papën Benedikti XVI, i cili u takua me një grup ipeshkvijsh të Konferencës Ipeshkvnore të Kamerunit, në vizitë ‘ad Limina’, me disa prelatë të Kuries Romake dhe të kishave të vendeve të ndryshme si dhe me një delegacion të Komitetit të Hebrenjve Amerikanë.
Është një takim i përvitshëm, gjatë të cilit thellohen përpjekjet për bashkëpunim ndërmjet hebrenjve dhe Kishës katolike.
Këtë kujtoi edhe Ati i Shenjtë gjatë audiencës, duke u ndalur posaçërisht tek kremtimet që u mbajtën pak kohë më parë me rastin e 40-vjetorit të deklaratës ‘Nostra Aetate’ të Koncilit II të Vatikanit, e cila luajti një rol të dorës së parë për nxitjen e njohjes ndërmjet feve të ndryshme dhe thellimin e dialogut në frymën e respektit reciprok. Si hebrenjtë ashtu edhe të krishterët kanë një trashëgimi të pasur të përbashkët – kujtoi Ati i Shenjtë dhe në vijim, duke cituar deklaratën ‘Nostra Aetate’ nënvizoi se Kisha katolike nuk mund ta harrojë popullin e zgjedhur, me të cilin Hyji lidhi një besë shenjte.
Judaizmi, Kristianizmi dhe Islami – vijoi Papa – i besojnë një Zoti të vetëm, Krijuesit të qiellit e të tokës. Prandaj të trija fetë monoteiste janë të thirrura të bashkëpunojnë me njëra tjetrën për të mirën e mbarë njerëzimit, duke i shërbyer krah për krah çështjes së drejtësisë e të paqes në botë. E kjo ka një vlerë të veçantë sot, kur i duhet kushtuar vëmendje e madhe edukimit të njerëzve me respektin ndaj feve dhe simboleve të tyre si dhe vendeve të shenjta ku adhurohet Zoti. Udhëheqësit fetarë e kanë për detyrë të punojnë për pajtimin, duke ecur në rrugën e dialogut dhe të solidaritetit njerëzor – tha Papa dhe në përfundim të takimit uroi që kjo vizitë t’i shërbejë thellimit të përpjekjeve për ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe për kapërcimin e të gjitha pengesave në rrugën e dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.