2006-03-16 13:27:55

Ditët e fundit të Papnisë të Gjon Palit II dhe vuajtja e tij tregohen në një libër


(16. 03. 06 R. V.) Ditët e fundit të Papnisë së Gjon Palit II dhe vuajtja e tij, tregohen në një libër. Është duke e shkruar Imzot Stanislao Dxhivish së bashku me të ngarkuarin e botimeve polake të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Çeslav Drazhek, me mjekun personal të papës Vojtyla, doktor Renato Buxonetin dhe Imzot Angelo Komastrin, Vikar i përgjithëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit.

 
“Më lini të shkoj në shtëpinë e Atit!”: këto janë fjalët e fundit të Papës Gjon Pali II. Tani ditët e tij të mbrame dhe vuajtja që provoi, posaçërisht në fund të papnisë, janë përmbledhur në librin: “Më lini të shkoj. Forca në ligështinë e Gjon Palit II”. Libri përshkruan çastet më të dhimbshme të jetës të Karol Vojtilës: fëmijërinë, vitet pushtimit nazist në Poloni e pastaj atentatin e 13 majit 1981, shtrimet në Poliklinikën Gjemeli, diagnostikimin e tumorit ndër zorrë, sëmundjen e Parkinsonit. “Një vizitë e Zotit” e quan Imzot Dxhivish dhimbjen që jetoi Gjon Pali II - vizitë që bëri të lindin vepra dashurie për të afërmin. Ishte vërtetë bashkim i thellë i Gjon Palit II me Hyjin, pjesëmarrje në misterin e Pashkëve, që u bë edhe më e dukshme në Javën e Madhe të vitit të kaluar. Por Papa Vojtila gjeti ngushëllim të plotë në dashurinë e Krishtit, që është më e fortë se vdekja – shpjegon ipeshkvi i Krakovisë.
Doktor Buxoneti kujton çastet kur Papa, ndërsa ambulanca e çonte me shpejtësi në spital, pas atentatit të Agçait, pëshpëriste gjithnjë në gjuhën polake: “Jezu-Maria- Nëna ime”; ditën kur e i kërkoi të bëhej mjeku i Tij personal, kur i tregoi hollësisht historinë e shëndetit të tij e sidomos, orët e fundit të jetës. “Gjithçka e priti me një qetësi të thellë shpirtërore – pohon mjeku – e pavarësisht nga ndonjë çast vuajtjeje të natyrshme njerëzore, pranoi nga duart e Zotit sëmundjen, dhimbjen fizike, largimin e detyruar nga veprimtaritë e përditshme.
Ndërsa Imzot Komastri ndalet tek salikimet e Gjon Palit II që – siç shkruan prelati – qenë një përvojë vërtetë e jashtëzakonshme në të cilën, në një farë mënyre, u perceptua fuqia e Zotit që përmes Kishës së tij, dëshiron t’i bashkojë të gjithë popujt për të formuar një familje të vetme.







All the contents on this site are copyrighted ©.