2006-03-15 17:31:15

“Mjetet e komunikimit dhe sfidat e mëdha për ungjillëzimin ri, në rrethanat e misionit”


( 15. 03. 06 R. V.) :vijonë punimet e Asamblesë plenare të Komunikimeve Shoqërore, që do të përfundojnë në Vatikan të premten e ardhshme.
Impenjimi i mediave katolike, i shtrirë në mënyrë kapilare në mbarë Planetin, nga vendet e pasura e të zhvilluara, në ato më të varfërat, për të pranuar sfidën e madhe etike e morale të komunikimit e të informimit gazetaresk, në një botë të globalizuar. Ky është kuadri i përgjithshëm i punimeve të kësaj asambleje, kushtuar posaçërisht bilançit të veprimtarive të realizuara, duke ndjekur porositë e Letrës së fundit Apostolike të Gjon Palit II. Letra, publikuar në janarin e vitit të kaluar, kushtuar atyre që përgjigjen për mjetet e komunikimit, titullohet “Zhvillimi i vrullshëm” . Por në qendër të vëmendjes janë edhe projektet për ardhmerinë nën shtytjen e mesazhit të Benediktit XVI për Ditën e ardhshme Botërore të komunikimeve shoqërore me temë: “Mediat: rrjet komunikimi, bashkimi e bashkëpunimi”.
Sot paradite 60 delegatët që marrin pjesë në asamble, ndoqën raportet e organizatave ndërkombëtare të mediave katolike UCIP, SIGNIS e CAMECO. Ndër aspektet që u vunë në dukje ishte posaçërisht ai i vlerës së jashtëzakonshme që kanë mjetet e komunikimit për ungjillëzimin e ri. Lidhur me këtë, kardinali Creshencio Sepe, prefekt i Kongregatës për ungjillëzimin e popujve, dha alarmin për disa ndërhyrje urgjente në botën misionare, duke u përqëndruar tek sfida e sekteve:
- Ka pasur një stinë çkujdesjeje ndaj këtyre mjeteve. Ndoshta është errësuar sadopak ky areopag, duke rrezikuar të lihen këto mjete të jashtëzakonshme në duart e disave. Por cilat janë sfidat e veçanta misionare? Mbi të gjitha janë sektet. Ipeshkvijtë e vendeve të misionit e denoncojnë vazhdimisht këtë situatë, që vijon të bëhet gjithnjë më e vështirë. Ky prozelitizëm përbën rrezikun më të madh për ungjillëzimin. Në realitet, predikimi i sekteve nuk bazohet aq tek mesazhi i tyre, sa tek qëllimi i tyre, tek goditja me të gjitha forcat e Kishës katolike. E kam fjalën kryesisht për Afrikën e pastaj edhe për Azinë. E atëherë mund të themi se përdorimi i mjeteve të komunikimit bëhet për ne nevojë, urgjencë.
- Një çështje tjetër me rëndësi – nënvizoi kardinali Sepe – është edhe përhapja e Internetit në vendet ku mungon liria e shprehjes...- Këtë problemin e Internetit, për shembull, jemi duke e përballuar në disa vende posaçërisht të vështira, politikisht të vështira, të tipit të Kinës, të Vietnamit, Kamboxhias, Laosit, Birmanisë, Mianmarit e kështu me radhë. E këtë, sepse e dimë se, pavarësisht nga ndërtimi i mureve që pengojnë hyrjen ose mundësitë e predikimit, ajo që nuk mund të bëhet fizikisht, mund të realizohet duke i kapërcyer këto mure. E si kapërcehen? Pikërisht duke krijuar ura komunikimi, posaçërisht përmes Internetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.