2006-03-15 17:27:21

Nuk ka kundërvënie ndërmjet Krishtit dhe Kishës: kështu u shpreh Papa në audiencën e përgjithshme


(15.03.06. R.V.) Papa Benedikti XVI nisi sot një cikël të ri katekizmi kushtuar raportit mes Krishtit e Kishës dhe ripohoi natyrën hyjnore të mandatit misionar që iu besua Apostujve.
“Apostujt janë shenjë e bashkimit dhe e vazhdimësisë ndërmjet zbulesës, që solli Krishti dhe përhapjes së saj në tokë, të cilën Kisha e çon përpara që prej dymijë vjetësh”. Pasi përfundoi ciklin e katekizmit të së mërkurës kushtuar Liturgjisë së Orëve, Benedikti XVI filloi, në audiencën që mbajti sot paradite, një cikël të ri reflektimesh “mbi misterin e lidhjes së Krishtit e Kishës”. E menjëherë përgenjeshtroi tezën e njëfarë teologjie mbi individualizmin e kumtimit ungjillor si dhe disa bindje ngulmuese, që do të dëshironin ta shikonin institucionin e Kishës në kundërshtim me figurën e Jezusit.
Një parrullë që ka dalë mode, e, mbi të gjitha, pa kurrfarë themeli. Benedikti XVI zbërtheu, që me të parin nga katekizmat e tij kushtuar lidhjes ndërmjet Krishtit dhe korpit të tij kishtar, bindjen e një farë mendësie që ngul këmbë për ta shikuar Krishtin në kundërshtim me Kishën e tij, duke nisur nga ata që i shërbejnë: ipeshkvijtë e meshtarët. Kundërvënie kjo që nuk ekziston, pohoi Papa, duke përfunduar audiencën e përgjithshme, mes duartrokitjeve të tridhjetë mijë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Dymbëdhjetë Apostujt – tha Papa - janë shenja më e dukshme e vullnetit të Jezusit për ekzistencën dhe misionin e Kishës së tij; janë edhe garancia që na bind se ndërmjet Krishtit dhe Kishës së tij nuk ka kurrfarë kundërvënieje:
“Është plotësisht e papajtueshme me qëllimin e Krishtit parulla që ishte në modë pak vjet më parë: ‘Jezusi po’, ‘Kisha Jo’! (duartrokitje) Ky Jezus individualistik që është zgjedhur, është një Jezus i krijuar nga fantazia. Nuk mund ta kemi Jezusin pa realitetin që ka krijuar, në të cilin komunikon përmes kungimit shenjt. Ndërmjet Birit të Zotit, që u mishërua dhe Kishës së tij ekziston një bashkim i thellë, i pandarshëm, misterioz në fuqi të të cilit Krishti është i pranishëm sot në popullin e vet, e kjo prani e tij në bashkësinë ku ai na dhurohet gjithnjë, është edhe shkaku i gëzimit tonë. Po, Krishti është me ne. Mbretëria e Zotit vjen!
Nën rrezet e një dielli që të kujtonte se pranvera është fare pranë, para se të fillonte katekizmin, Benedikti XVI i kumtoi turmës së mbledhur para bazilikës së Shën Pjetrit se në takimet e së mërkurës do të fillojë ciklin kushtuar “misterit të lidhjes ndërmjet Krishtit e Kishës”. Kisha - shpjegoi Papa - është e ngritur mbi themelin e Apostujve si bashkësi feje, shprese e dashurie, pavarësisht nga kufizimet e nga hijet e njerëzve që i shërbejnë, me natyrë të brishtë e mëkatare si të gjithë njerëzit. Papa vuri me forcë në dukje figurat e nxënësve, si dëshmitarë të zgjedhur nga Krishti, për të përhapur në botë të vërtetën e Ungjillit, por posaçërisht si gjymtyrë të një korpi të vetëm:
“Misioni i tyre nuk është i izoluar, por vendoset brënda misterit të bashkimit, në të cilin merr pjesë mbarë populli i Zotit, mister që realizohet me etapa, duke nisur nga Besëlidhja e Vjetër deri tek e Reja (...) Prandaj, që nga çasti i parë i veprimtarisë së tij shëlbuese, Jezusi i Nazaretit përpiqet ta mbledhë Popullin e Zotit. Ndonëse predikimi i tij është gjithnjë thirrje për pendesë personale, ai në të vërtetë synon vazhdimisht në krijimin e popullit të Zotit të cilin ka ardhur ta bashkojë e ta .
E këtu Benedikti XVI iu kundërvu, si një ideje pa themel, shpjegimit “individualistik” të kumtimit të Krishtit, mbështetur nga teologu i madh liberal Adolf fon Harnak. Ky teolog - vijoi Ati i Shenjtë – e shikon ardhjen e Krishtit si akt të lidhur me çdo njeri që e mirëpret, ndërsa misioni i Krishtit – përsëriti Ati i Shenjtë – ka një qëllim komunitar, gjë që e dëshmon vetë ekzistenca e të Dymbëdhjetëve, të cilët simbolizojnë dymbëdhjetë fiset e popullit të vjetër të Besëlidhjes – e tani bëhen “thirrje drejtuar mbarë Izraelit që të pendohet e të hyjë në Besëlidhjen e Re, si përmbushje e plotë dhe e përkryer e Besëlidhjes së Vjetër.
Gjatë katekizmit, shqiptuar përmbledhtas në më se dhjetë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI u rikthye tek tema e solidaritetit që gjallëron Kreshmët:
“Zemrat tuaja të jenë edhe më të hapura ndaj kërkesave të të afërmve që kanë nevojë, duke e dëshmuar kështu me jetën tuaj Krishtin, që u dënua për ne duke na dashur deri në fund të fundit.”
Ndërmjet shtegtarëve të pranishëm – me të cilët Papa u ndalua gjatë pas përfundimit të audiencës, Benedikti XVI i drejtoi një përshëndetje të posaçme “Bashkimit të krishterë të drejtuesve sipërmarrës” dhe “Këshillit italian të ekspertëve industrialë”, të kryesuar nga kryeipeshkvi Gjani Danci. I nxis të gjithë – tha Papa – të japin një dëshmi koherente të krishterë në fushat e ndryshme të jetës e të punës”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.