2006-03-14 20:06:47

Shoqërore-politike 14 mars 2006 :


Në territoret e pushtuara gjendja vijon të jetë e trazuar. Sot në mëngjes trupat izrealite hynë me tanke në burgun e Xherikos ku po vuan dënimin Ahmed Saadati, udhëheqësi i Frontit Popullor Palestinez, vrasësi i ministrit izraelit Rehavam Zeevi. Ushtarët kërkuan që Saadati të mos lihej i lirë, por t’u dorëzohej atyre. Pas fitores në zgjedhjet e janarit, Hamasi ka liruar nga burgjet 49 terroristë palestinezë.


“Kompromis dhe tërheqje janë fjalë pa domethënie. Do të vazhdojmë në rrugën tonë të kërkimeve bërthamore pavarësisht intrigave politike kundër nesh.” Kështu u shpreh sot presidenti iranian Ahmadinexhad gjatë një mitingu në Gorgan, në verilindje të Iranit. Ndërkaq vijojnë edhe bisedimet ndërmjet Rusisë dhe këtij vendi për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.


Dita e sotme në Irak ishte relativisht e qetë por nuk munguan edhe episodet makabre: numri i kufomave të gjetura në Bagdad arriti në 26. Shumë prej tyre kishin duart e lidhura prapa dhe shfaqnin shenja të dukshme torturash. Sot nisi gjithashtu të qarkullojë në internet edhe një video ku duken disa fëmijë, në Ramadi, që dhunojnë trupat e pajetë të disa ushtarëve amerikanë dhe irakianë.


Rinisi sot në Bejrut “Dialogu Kombëtar” mes politikanëve libanezë filosirianë dhe atyre antisirianë. Takimi pritet që të marrë vendime të tilla si çarmatosja e milicianëve hezbollah dhe largimi nga pushteti i presidentit Emil Lahud. Një ndikim të madh mbi këto bisedime do të ketë edhe përfundimi i hetimeve të OKB-së mbi vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Haririt.


Është ende mister fati i katër shqiptarëve, punonjës të firmës gjermane “Ekolog” të rrëmbyer të shtunën në Afganistan. Dje talebanët deklaruan se ishin ekzekutuar të gjithë por trupat e tyre nuk u gjetën. Ndërkohë u bënë të njohur tre nga katër emrat e të rrëmbyerve. Ato janë: Fadil Zenuni, Besim Aliu, të dy nga Reçica e vogël e Maqedonisë dhe Sabi Tahiri. Nga ana e vet ndërmarrja “Ekolog” lajmëroi se po vijon përpjekjet për të liruar pengjet, dhe se fati i tyre nuk dihet ende me siguri.








All the contents on this site are copyrighted ©.