2006-03-14 17:55:12

Selia e Shenjtë kërkon solidaritetin e katolikëve për të krishterët e Tokës Shenjte


Thirrje e Kongregatës për Kishat Lindore drejtuar të gjithë katolikëve lidhur me traditën e mbledhjes së ndihmave për të krishterët e Tokës Shenjte.Solidaritet për të krishterët e Tokës Shenjte. Këtë kërkon Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Injac Musai I Daud. Hirësia e Tij u ka drejtuar një letër mbarë ipeshkvijve katolikë me qëllim që të sensibilizojë bashkësitë kishtare lidhur me traditën e mbledhjes së ndihmave në të Premten e Madhe për të krishterët e kësaj zone, që është përfshirë në një krizë plot vuajtje të përditshme, të padëgjuara. Toka e Zotit – shkruan Kardinali – është teatër i një konflikti që vijon prej dhjetra vitesh e që e privon bashkësinë katolike nga mjetet e nevojshme për mbajtjen dhe promovimin e veprimtarive fetare, humanitare e kulturore. Një situatë e tillë e dhimbshme ka si pasojë varfërinë dhe papunësinë, që peshon rëndë mbi kurrizin e familjeve dhe të mbarë popullsisë vendase. Për më tepër ushqen fenomenin shqetësues të largimit të të krishterëve, posaçërisht të çifteve të reja, të cilat nuk shohin asnjë mundësi për ardhmëri dinjitoze në vend. Por prania e të krishterëve në Tokën Shenjte – shkruan kardinali Musa Daud – është më e nevojshme se kurrë për ardhmërinë paqësore të kësaj zone dhe për të mirën e gjithë Kishës universale, që duhet të ketë në këto Vise Shenjte praninë e bashkësive plot gjallëri, të cilat praktikojnë fenë ungjillore. Duke kujtuar fjalët e Benediktit XVI, kardinali kujton edhe përgjegjësinë që ka Kisha universale ndaj Kishës-Nënë të Jeruzalemit, përballë së cilës gjithë të krishterët kanë një borxh të pashlyeshëm. Prej këndej buron thirrja drejtuar mbarë katolikëve të botës, duke u kujtuar se e kanë për detyrë t’i shoqërojnë me lutje e me solidaritet konkret bashkësitë e krishtera të kësaj Toke të Bekuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.