2006-03-14 17:52:13

Ftesa e Papës në lutjen e Ëngjëllit të Tënzot: ta dëgjosh Krishtin në Shkrimin Shenjt, në ngjarjet, posaçërisht në më të vegjlit e më të varfërit


RealAudioMP3 (14. 03. 06 R.V.) Ftesa e Benediktit XVI për ta dëgjuar e për ta medituar me vëmendje më të madhe Fjalën e Zotit në kohën e Kreshmëve. Papa disa herë ka porositur praktikën e lectio divina.
“Zoti na flet gjithnjë, por pret nga ne më shumë vëmendje, posaçërisht në këtë kohë Kreshmësh.”. Kështu u shpreh Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, duke i ftuar besimtarët ta meditojnë më thellësisht Fjalën e Zotit në këtë kohë të fortë liturgjike. E më se një herë gjatë vitit të parë të papnisë së Tij, Benedikti XVI ka këshilluar kthimin tek praktika tepër e lashtë e lectio divina, apo e leximit shpirtëror të Shkrimit Shenjt.
****
Benedikti XVI këshillon lectio divina apo “leximin e rregullt të Shkrimit Shenjt shoqëruar me lutje”, që realizon atë bisedë intime në të cilën, duke lexuar, dëgjohet Zoti që flet e, duke u lutur, përgjigja me zemër të hapur plot besim. Por t’i dëgjojmë drejtpërdrejtë fjalët e Papës, që na shpjegon ç’është lectio divina:
***
“Kjo do të thotë të përqëndrohesh për një kohë të gjatë mbi një tekst biblik, duke e lexuar e rilexuar, gati duke e “ripërtypur”, si thonë etërit e Kishës, e, duke ia shtrydhur, si të thuash, gjithë lëngun, sepse ushqen meditimin e kundrimin dhe arrin të ushqejë, si limfë, jetën konkrete. Kushti i lectio divina është që mendja e zemra të shndriten nga Shpirti Shenjt, dmth nga vetë Frymëzuesi i Shkrimeve Shenjte, e të përqendrohen në sjelljen fetare të dëgjimit”.
***
Eprori i bashkësisë mungare të Bosesë, Enzo Bianchi, pohon se lectio divina “vlen jo për çka mund të fitojmë prej saj, për çka mund të kemi, por për çka na bën të jemi”.
Kardinali Karlo Maria Martini kujton 8 kambët e shkallës të lectio divina: mbi të gjitha, leximin e përsëritur, të qetë e të zellshëm të Shkrimit Shenjt, duke u përpjekur për t’u mbrujtur nga Fjala e Zotit. Më pas meditimin, që do të thotë të përpiqesh për të kuptuar çfarë më thotë mua, personalisht, kjo Fjalë e Zotit. Oratio-n pastaj, apo lutjen e vetvetishme, kërkimin e faljes, të dritës ose të ofertës. Contemplatio apo kundrimi do të thotë të qëndrosh me dashuri para tekstit në heshtje të plotë e në adhurim për Atë që është Shëlbuesi im. Consolatio – apo ngushëllimi është gëzimi që buron nga lutja, ndjesia e thellë e shijimit të gjërave të Zotit. Prej këndej – pohon kardinali Martini – të krishterit i lindin ide të guximshme. Shkallarja e gjashtë është Discretio, gjykimi: kjo do të thotë ta dallosh atë që është ungjillore nga ajo që nuk është. Deliberatio është vendimi i shpirtëror për të kryer atë që Zoti më ka bërë të dëgjoj; e kjo të çon në shkallaren e tetët, në Actio, fryt i pjekur i gjithë shtegtimit, që do të thotë ta vësh në jetë Fjalën e dëgjuar.
Jeta njerëzore – tha Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar- “është një rrugë feje e, si e tillë, rrjedh më shumë në gjysmë hije, sesa në dritë të plotë, e nuk i mungojnë edhe çastet e errësirës, madje të errësirës së plotë”. Është Fjala e Zotit që ndez në ne një dritë të brëndshme në rrugët e jetës. Prandaj Papa i ftoi të gjithë të ecin në gjurmët e Virgjërës Mari, e cila e ruante dhe e meditonte vazhdimisht në zemër të vet Fjalën e Zotit:
***“Ja pra dhurata dhe impenjimi për secilin nga ne në periudhën kreshmore - porositi Benedikti XVI. Duhet ta dëgjojmë Krishtin në Shkrimin Shenjt e ndër vetë ngjarjet e jetës sonë, për të lexuar mesazhet e Provanisë hyjnore, ta dëgjojmë ndër vëllezërit, posaçërisht ndër të vegjlit e të varfërit, ku Jezusi kërkon dashuri konkrete. Ta dëgjosh Krishtin e t’i bindesh zërit të Tij: kjo është udha kryesore, e vetmja, që çon në gëzimin e plotë të dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.