2006-03-13 19:05:33

Presidenti Mubarak në audiencë tek Papa për të forcuar dialogun me perëndimin


RealAudioMP3 Sot pasdite Benedikti XVI priti në audiencë presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, ndërsa paradite u takua me një grup ipeshkvijsh të Kamerunit, në fillim të vizitës së tyre ‘ad Limina’.
Presidenti egjiptian erdhi të dialogojë me perëndimin pas karikaturave të Muhametit, të kërkojë që të mos izolohet Irani i ajatollahëve, të mos shemben urat me palestinezët e Hamasit. Këto janë nyjet e mëdha në sfond të takimit ndërmjet Presidentit Mubarak e Papës Ratzinger.
Presidenti egjiptian vjen përsëri në Romë, pas katër vjetësh, për të shkëmbyer me Papën mendime që kanë të bëjnë me skenën ndërkombëtare, tronditur thellë nga lëvizjet fondamentaliste.
Në këtë situatë të trazuar e të rrezikshme, kombet e islamit të moderuar, me Egjiptin në krye, janë shumë të impenjuara për t’i shuar vatrat e polemikës e për të fuqizuar dialogun me perëndimin.
Turi evropian i Presidentit egjiptian, i parë me këtë sy, nuk mund të mos përfshinte edhe etapën e sotme të bisedimeve me Papën, në kërkim të një pike të fortë referimi në frontin e mirëkuptimit islamo-kristian, si me natyrë kulturore, ashtu edhe fetare. Natyrisht në takimin e pasdites nuk mungoi edhe interesimi i thellë i Papës për gjendjen e të krishterëve në Egjipt. Ndonëse vendi krenohet për bashkëjetesë paqësore e shekullare, Kisha kopte, një nga më të lashtat, kohët e fundit është diskriminuar, nën presionet e forta të fanatikëve islamikë. Kjo u vërejt edhe në zgjedhjet e paradokohëshme, gjatë të cilave rryma fondamentaliste bëri të gjitha përpjekjet për ta kushtëzuar rëndë jetën shoqërore dhe politike në vend.
Falë qëndrimit të Mubarakut, një ndër problemet më delikate të bashkësisë së krishterë në vend, që ka të bëjë me lejën e ndërtimit ose të rindërtimit të kishave, duket se është zgjidhur me dekretin presidencial të dhjetori të kaluar, që lehtëson veprimet burokratike dhe shkathtëson ato praktike. Shenjë tjetër e hapjes nga ana e qeverisë është edhe dhurimi i një terreni në Sharm el Sheik për të ndërtuar aty një Kishë, duke u krijuar kështu turistëve mundësinë të marrin pjesë në Meshën e së dielës.
Kujtojmë se pas takimit me Papën, presidenti egjiptian zhvilloi një bisedim të një natyre më teknike me kardinalin Angjelo Sodano, sekretar i Shtetit të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.