2006-03-10 17:10:06

Sfida e misionit në Evropë: takim në Romë për 40-vjetorin e dekretit Ad Gentes


Kisha studion sfidat e misionit në Evropë: në vendet e Lindjes, që janë në kërkim të identitetit të tyre, pas sundimit të gjatë komunist dhe ateizmit shtetëror si dhe në vendet e Perëndimit, gjithnjë më të çkristianizuara.

 
“Sfida e perspektiva në mision” është tema e takimit ndërkombëtar që filloi dje në Vatikan me rastin e 40- vjetorit të Dekretit Konciliar ‘ad Gentes’ lidhur me veprimtarinë misionare të Kishës, organizuar në Romë nga Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve dhe nga Universiteti Papnor Urbanian.
Lidhur me vendet e Evropës Lindore, u nënvizua se janë ende nën ndikimin e komunizmit e të ateizmit. Vërtetë me perestrojkën dhe glastnostin u sigurua një farë lirie, por njëkohësisht doli edhe një problem, që nuk duhet nënvleftësuar: “gjetja e një orientimi të ri politik e fetar”.
Nga ana tjetër, popujt e viseve perëndimore, që e gëzojnë prej kohe këtë liri, ndodhen para ndikimeve jo më pak të rrezikshme për jetën e Krishtërimit, sepse kanë privatizuar dhe individualizuar stilet e jetës dhe konceptet mbi botën. Në të dy frontet ndjehet rreziku i humbjes së besimit në Zotin. Prandaj sot Kisha duhet ta dëshmojë më me forcë se në kohët e Shën Palit ‘Zotin e panjohur’ në një shoqëri që, me arsye, quhet ‘pas-kristiane’. Të gjithë jemi të thirrur ta kumtojmë e ta dëshmojmë Ungjillin e Krishtit, e jo vetëm ndër vendet ekzotike e në kontinentet e largëta, por edhe, e sidomos, ndër udhët e sheshet e atdheut tonë lindor a perëndimor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.