2006-03-06 17:14:54

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: për t’u bërë vërtetë të lirë, duhet përballuar prova e tundimit


(6 mars 2006 R.V.)Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në të Dielën e parë të Kreshmëve, Papa Benedikti XVI theksoi se për të qenë vërtetë të lirë, duhet përballuar prova e tundimit.
“Për ta realizuar plotësisht jetën në liri, duhet përballuar prova që e mbart vetë liria: tundimi”- këtë theksoi dje Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot dhe i ftoi besimtarët ta jetojnë këtë kohë të fortë, duke e rishikuar me vëmendje jetën e tyre, për të vijuar me guxim rrugën drejt Pashkëve të Jezusit, burim i dhembshurisë.
***
Papa ia kushtoi Lutjen kryesisht Kohës së Kreshmëve, që i nxit të krishterët të impenjohen në rrugën e përgatitjes për Pashkë. Duke kumtuar Ungjillin e djeshëm, Benedikti XVI kujtoi kohën që kaloi Jezusi në shkretëtirë, ku përballoi tundimin nga ana e Shejtanit:
***
“Duke ndjekur Mësuesin dhe Zotin e tyre, edhe të krishterët hyjnë shpirtërisht në shkretëtirën kreshmore, për ta përballuar së bashku me Të luftën kundër shpirtit të së keqes”.
***
Figura e shkretëtirës – nënvizoi Ati i Shenjtë – është metaforë që flet vetë për jetën njerëzore. Libri i Daljes rrëfen përvojën e popullit të Izraelit i cili, si doli nga Egjipti, shtegtoi në shkretëtirën e Sinait për dyzet vjet, para se të arrinte në tokën e premtuar:
***
“Në këtë shtegtim të gjatë, hebrenjtë provojnë tërë forcën dhe këmbënguljen e tunduesit, që i shtynte ta humbisnin shpresën në Zotin e të ktheheshin mbrapa; por në të njëjtën kohë, falë ndërmjetësimit të Moisiut, mësuan të dëgjojnë zërin e Zotit, që i thërriste të bëheshin populli i tij i shenjtë. Duke medituar mbi këtë faqe biblike, kuptojmë se për ta realizuar plotësisht jetën në liri, duhet kapërcyer prova që mbart vetë liria, dmth, tundimi. Vetëm pasi të çlirohet nga skllavëria e gënjeshtrës dhe e mëkatit, njeriu, në saje të nënshtrimit ndaj fesë, ia hap zemrën së vërtetës, gjen kuptimin e plotë të jetës së vet, gjen paqen, dashurinë, gëzimin”.
***
Pikërisht për këtë – shtoi Papa – Kreshmët janë kohë e favorshme për rishikimin e jetës në gjunj para Zotit, në lutje e në pendesë. Papa kujtoi edhe se mbrëmë do të fillonte Ushtrimet Shpirtërore me bashkëpunëtorët e Kuries Romake:
***
“Të dashur vëllezër e motra, ndërsa ju ftoj të më shoqëroni me lutjet tuaja, ju siguroj se ju kujtoj në Tënzonë, me qëllim që Kreshmët të jenë për gjithë të krishterët rast për pendesë e për shtytje të guximshme drejt shenjtërisë”
***
Pas Lutjes të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi se të shtunën e ardhshme, më 11 mars, në orën 17, në Sallën e Palit VI, do të mbahet një mbrëmje lutjeje mariane, organizuar nga të rinjtë universitarë të Romës. Në të, në saje të lidhjeve radio-televizive, do të marrin pjesë edhe shumë studentë të vendeve të tjera evropiane e afrikane:
***
“Do të jetë një rast i përshtatshëm për t’iu lutur Zojës së Bekuar që Ungjilli të hapë udhë të reja bashkëpunimi ndërmjet popujve të Evropës e të Afrikës. Të dashur të rinj, ju pres të shumnumërt!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.