2006-03-06 17:35:27

Mirënjohja dhe dashuria e Radio Vatikanit për Benediktin XVI pas vizitës që bëri të premten e kaluar në Pallatin Pio për kremtimin e 75-vjetorit të themelimit të emitentes.


(6 mars 2006 R.V.)Intervistë me drejtorin e përgjithshëm të Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi S. J.
Përzemërsi e vëmendje ndaj bashkësisë profesionale të madhe e plot larmi të Radio Vatikanit. Tri ditë pas vizitës historike të Benediktit XVI në Radio Vatikan me rastin e 75-vjetorit të themelimit, në mendjen e 400 punonjësve mbeten të skalitura fjalët e Papës, i cili e nxiti emitenten papnore të jetë zë i së vërtetës në korin shumëgjuhësh në shërbim të paqes e të dialogut ndërmjet feve. Këtyre fjalëve i shtohet mirënjohja për përzemërsinë e Benediktit XVI:
***
- Më preku thellë pikërisht ky fakt, dmth që pranoi të vinte e të bënte një vizitë kaq të imtë e kaq të nyjëzuar, duke hyrë nga pak në të gjitha hollësitë e jetës sonë. Tjetër është të pritesh në audiencë në Vatikan, ndonëse me shumë përzemërsi e të dëgjosh një fjalim të mrekullueshëm, e tjetër gjë është kur Papa vjen aty ku ti punon çdo ditë dhe njeh drejtpërdrejtë, personalisht, vendet e veçanta, aspektet e posaçme të punës sate, duke qenë plotësisht i gatshëm të pyetet, të kuptojë realitetet e veçanta të grupeve të ndryshme, krejt të ndryshme nga njëri-tjetri, siç janë grupet që përbëjnë realitetin tonë. Nga ana e tij ishte një vijim – në një farë mënyre – nuk them i çudisë, sepse e dì, por i zbulimit drejtpëdrejtë të shumëllojshmërisë të realiteit tonë gjuhësor e kulturor.
***
- Ç’ mbresa ju la shoqërimi i Papës në këtë rrotullim “rreth botës së vogël” të Radio Vatikanit?
***
- Është një botë që, natyrisht e njoh shumë mirë dhe shikoj me gëzim e befasim se çdo vizitues i ri e jeton duke e zbuluar drejtpërdrejtë pasurinë e saj. E përveç gatishmërisë së pabesueshme, mirësisë dhe vëmendjes të Atit të Shenjtë, unë mund të rijetoj përzemërsinë që të gjitha grupet e Radio Vatikanit – redaksitë, punonjësit e ndryshëm, teknikët, administruesit e kështu me radhë – kanë ndaj Atit të Shenjtë, gjë që është parakusht i identifikimit me një mision, me kryerjen e tij nga gjithë zemra e me gjithë impenjimin e mundshëm. Ja, pra, më la mbresë pjesëmarrja nga ana e të dyja palëve: takimi i anasjelltë.
***
- Të ndalemi pikërisht tek misioni. Vizita e Benediktit XVI në Pallatin Pio ishte kulmi i kremtimeve të një përvjetori të rëndësishëm dhe njëkohësiht të një hovi të ri. Nga riniset, pas kësaj ngjarjeje të madhe, Radioja e Papës?
***
- Radioja e Papës është përpjekur të përgatitet, gjatë këtyre viteve, për kufijtë e ri të komunikimit dhe u përpoqëm që Ati i Shenjtë t’i shikonte me sytë e vet, shenjat e risisë, ndonëse akoma të vogla: risi në mjediset tona, risi në mjetet, në studiot... ja, mjetet e reja me të cilat sot punohet ditë për ditë për të përhapur komunikimin. E ne jemi përgatitur për t’i bërë ballë kësaj sfide. Gjëja kryesore që na dha Papa është inkurajimi dhe përforcimi i motiveve për të cilat duhen përdorur këto mjete. Unë dëgjoja, në sfond, fjalët e Palit VI, që thoshte: “Nuk do të vlente asgjë një mjet i mrekullueshëm, në se nuk do të përdorej mrekullisht”. Ja, ne jemi përgatitur ditë për ditë për ta ripërtërirë “mjetin e mrekullueshëm’; tani na mbetet të vijojmë përpjekjet për ‘ta përdorur mrekullisht’. Pikërisht për këtë na dha zemër Ati i Shenjtë, në këndvështrimin e thellimit të përmbajtjes, në këndvështrimin e dashurisë për të vërtetën, në këndvështrimin e shpirtit me të cilin realizohet ky mision në shërbim të Kishës, në shërbim të Ungjillit.
***
- Papa nënvizoi posaçërisht rolin e Radio Vatikanit në botën e mjeteve të komunikimit ku – siç tha vetë Ati i Shenjtë - shpesh herë vërehen qëndrime në kundërshtim me Kishën e me Ungjillin...
***
- Sigurisht. Mjetet e komunikimit të shtrojnë për zgjidhje problematikën e sotme, si problematikë themelore: të ballafaqojnë me vlerat që duhen shikuar si pikëmbështetje, me kulturën e sotme, me mënyrën si përhapet kjo kulturë, si jetohet, si përvetësohet nga mendësia, pikërisht përmes dëgjimit të radios, të televizionit, të internetit... Ja kjo është rruga përmes së cilës vizioni i botës kalon në jetë. Prandaj ne e ndjejmë thellë përgjegjësinë për rolin që kemi. E dimë se japim një ndihmesë të vogël, në se duam, në këtë areopag të pakufishëm, që është komunikimi në botën e sotme, por është ndihmesë që ka vlerën e vet e prandaj edhe ne vemë të gjitha forcat për ta dhënë sa më mirë që është e mundur, për ta vënë këtë element - që dëshirojmë të jetë sa më pozitiv, mik i njeriut, mik i njerëzimit - në shërbim të së mirës të njeriut, të zhvillimit të tij, përballë kontributeve të tjera që çojnë më shumë në përçarje, në konflikt, në çorientim.
***
- Pyetja e fundit: Atë Lombardi, cila është mbresa juaj më e fortë personale nga vizita e Papës në Radio Vatikan?
***
- Kryesisht, kjo afërsi e vëmendje e Atit të Shenjtë për punën tonë. Ne e bëjmë me gjithë zemër – edhe unë kështu, mendoj se e bëj me gjithë zemër, duke dhënë gjithçka mundem për ta kryer sa më mirë këtë shërbim; Ati i Shenjtë na la të kuptojmë – më la të kuptoj – se e di këtë, se është i kënaqur, se i pëlqen, se e di që është shërbim për misionin e tij e prandaj është gjithnjë pranë nesh me miqësinë e tij, me inkurajimin e me lutjen e tij. E ky, natyrisht, është një ngushëllim i madh!


Il Papa all'Angelus: per diventare davvero liberi occorre superare la prova della tentazione
 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: për t’u bërë vërtetë të lirë, duhet përballuar prova e tundimit







All the contents on this site are copyrighted ©.