2006-03-03 18:37:20

Papa Benedikti XVI viziton Radio Vatikanin: të jeni forcë e paqes dhe e dialogut në shërbim të së vërtetës të Ungjillit


RealAudioMP3 (3 mars 2006 R.V. )Sot Benedikti XVI vizitoi Radio Vatikanin me rastin e 75-vjetorit të emitentes. Mandati i Papës: të jeni forcë e paqes, e vërtetësisë dhe e dialogut ndërmjet feve, në shërbim të çështjes së Ungjillit.
Një orë e gjysmë festë, hare, ripohim i misionit të vet në shërbim të Papës e të Kishës: vizita e Benediktit XVI në Selinë e Radio Vatikanit, zhvilluar sot paradite ndërmjet orës 11 dhe 12. 30, i shtoi një stoli të re mozaikut të një përvoje të gjatë, nisur më 12 shkurt, 75 vjet më parë. Papa u takua me trupën e punonjësve, të gjithë të pranishëm, duke e nxitur secilin nga ne të bashkëpunojë e ta bëjë emitenten papnore “mjet dialogu ndërmjet feve e kulturave”. Por, të ndjekim kronikën e vizitës të Atit të Shenjtë:
***
‘Të dashur vëllezër e motra, i përshëndes me gjithë zemër dëgjuesit dhe dëgjueset e Radio Vatikanit dhe u uroj paqen e gëzimin e Zotit. Për mua është gëzim i madh që gjindem këtu”.
***
Ora shënon 11. 15 minuta kur redaktorët e Radio Vatikanit, impenjuar në transmetim të drejtpërdrejtë, ia lëshojnë në dorë mikrofonin vetë zërit të Atij, të cilit i shërbejnë çdo ditë, duke ia përhapur në të katër anët e botës magjisterin, reflektimet, thirrjet. Benedikti XVI ulet dhe i drejton një përshëndetje dëgjuesve. Kanë kaluar vetëm 3 minuta, e megjithatë mjaftojnë për të përcaktuar një ideal, një kod profesional për çdo kategori të emitentes papnore. Në botën ku ndërthuren qëndrime në kontrast me Kishën, zëri i Radio Vatikanit – tha Papa – është zë i së vërtetës:
‘Dëshiroj të uroj që të gjithë ata, të cilët më dëgjojnë në këtë çast, ta ndjejnë veten vërtetë të përfshirë në këtë dialog të madh të së vërtetës. Në botën e mjeteve të telekomunikimit, siç e dimë, nuk mungojnë edhe zërat kundërshtare. Prandaj është edhe më e nevojshme të ekzistojë ky zë që dëshiron realisht të vihet në shërbim të së vërtetës të Krishtit, e kështu të vihet në shërbim të paqes e të pajtimit në botë’.
Pak çaste para mesazhit të tij, Papa e kishte kryer aktin e parë të vizitës – nisur gjashtë minuta pas orës 11 – me një homazh për Paraardhësin e tij. Studioja n. 3, me pajisje digjitale, qysh sot thirret me emrin e Kardinalit Vojtila, i cili në raste të ndryshme, kur ishte në Romë, e pati përdorur për t’i përcjellë mesazhet e veta Polonisë. Benedikti XVI bekoi pllakën përkujtimore, për të vijuar, më pas, vizitën nga kati në kat, nga grupi në grup, duke u ndaluar për një fotografi kremtore, duke shkëmbyer urime e buzëqeshje, duke marrë dhuratat e përgatitura për këtë rast nga punonjësit e Radio Vatikanit e duke dhënë edhe ndonjë njoftim të ri. Pas fotografisë përkujtimore me redaktorët e Programit Shqip të Radio Vatikanit, duke bekuar një figure të Nënë Terezës në duart e kryeredaktorit tonë, Dom David Gjugjës, Benedikti XVI, me buzë në gaz, i tha se shqiptarëve së shpejti do t’u plotësohet dëshira për shenjtërimin e Bijës së tyre të Lume.
E pak më parë Shenjtëria e Tij pati pohuar:
***
“Kur komunizmi e shtriu sundimin e vet mbi disa kombe të Evropës qëndrore e lindore si dhe në vise të tjera të Tokës, Radio-Vatikani i shtoi programet dhe gjuhët e transmetimeve, me qëllim që dëshmia e afërsisë dhe e solidaritetit të Papës e të Kishës universale, duke kapërcyer perden e hekurt, të arrinte tek bashkësitë e krishtera të shtypura nga regjimet totalitare.”
***
Pikërisht në këtë kohë, e më saktë më 3 tetor të vitit 1951, filluan, me një Udhë Kryqi, transmetimet e Programit shqip pranë Radio Vatikanit.
***
Katër kate ndërmjet njerëzve që flasin 40 gjuhë të ndryshme, duke të krijuar përshtypjen e një shtegtimi rreth botës, me zakone e mendësi të ndryshme, por me një qëllim të vetëm, për të cilin Kryebariu i shprehu Radios mirënjohjen e tij, duke e falënderuar si urë dialogu ndërmjet Selisë së Pjetrit – zemër e kumtimit dhe e traditës kishtare – e Kishave të veçanta, të cilat këtë kumtim e përhapin në të katër anët. Pas një ndalese të shkurtër për t’u lutur në Kapelën e Lajmërimit të Zojës, Benedikti XVI vuri në dukje këtë aspekt, gjatë fjalimit që mbajti në Sallën Markoni:
***
“Po! Beteja juaj është ‘beteja e mirë për fenë’, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull, për të përhapur Ungjillin e Krishtit. E këtë e bëni, siç lexohet edhe në Statutin tuaj, duke kumtuar me liri, besnikëri dhe efektshmëri mesazhin e krishterë, duke lidhur qëndrën e katolicizmit me vende të ndryshme të botës, duke përhapur zërin dhe mësimet e Papës të Romës, duke dhënë njoftime për veprimtaritë e Selisë së Shenjtë, duke i bërë jehonë jetës katolike në botë; duke i orientuar besimtarët për t’i vlerësuar problemet e çastit në dritën e magjisterit kishtar, me vëmendje të përhershme tek shënjat e kohës”.
***
Një punë, e cila impenjon ditë për ditë, në sektorë të ndryshëm, 400 persona. Makinë e ndërlikuar, që kërkon përpjekje e shpirt, gjë që u sintetizua në fjalimin drejtuar Atit të Shenjtë nga Drejtori ynë i Përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:
***
“Ne jemi të gëzuar që punojmë në Radion e Papës. Kjo është detyra që na është caktuar në vreshtin e Zotit, të cilën e kryejmë çdo ditë, madje ditë e natë – duke u shkëmbyer me njëri-tjetrin pa pushim që prej dhjetra vitesh, me të njëjtën forcë shpirtërore, me të njëjtin entuziazëm. Jemi të bindur se koha jonë dhe forcat tona shpenzohen mirë, në sa komunikojmë atë që thotë Papa, atë që kumton Kisha për të mirën e shumë vëllezërve e motrave tona, duke iu bindur Ungjillit të Krishtit”.
***
Duke kapërcyer pragun e Pallatit Pio, siç pati bërë Gjon Pali II, 26 vjet më parë, e para tij, pesë papë që nga viti 1931 në seli të ndryshme ku është shkruar historia e Radios - edhe Benedikti XVI nënvizoi posaçërisht një pikë: të punosh në Radio Vatikan do të thotë të jesh profesionist me shpirt. Do të thotë të përhapësh mësimet e Ungjillit, sigurisht duke u mbështetur në një përgatitje të shëndoshë në fushën e kulturës e të teknologjisë moderne, por edhe të kesh shpirtin e lutjes besnike ndaj mësimeve të Krishtit e të Kishës së tij”:
***
“Vijoni, miq të dashur, të punoni në areopagun e komunikimit modern, duke bërë tuajin thesarin e përvojës të jashtëzakonshme që jetuat gjatë Jubileut të Madh të Vitit 2000 e akoma më shumë me rastin e vdekjes së Papës Gjon Pali II, një ngjarje që tregoi qartë sa dëshirë ka njerëzimi për të njohur realitetin e Kishës. Por mos harroni se, për ta çuar deri në fund misionin që ju është besuar, duhet sigurisht një farë përgatitjeje e përshtatshme teknike e profesionale, por mbi të gjitha, duhet të kultivoni në vetvete shpirtin e lutjes e të bashkimit plot besnikëri me mësimet e Krishti e të Kishës së tij”.
***
E ky është mandati i Benediktit XVI, i cili gjatë fjalimit të tij sintetizoi historinë e gjatë të Radio Vatikanit, përbërë prej 75 vjet nismash që kanë mbetur ndër anale, si përpjekje për të rivendosur pajtimin pas Luftës II Botërore ose si impenjim për të bërë që zëri i Papës dhe i Kishës të arrijë përtej perdes së hekurt, ngritur nga regjimi komunist. Kjo histori lidhet ngushtë me të sotmen e Radio Vatikanit, me nxitjet që vijnë nga shekulli i 21-të. E me sigurinë, që i vjen nga Papa, i cili e vlerëson dhe e bekon:
***
“Ju falënderoj ju të gjithëve e urime për punën tuaj, tani për Kreshmët, për kohën e Pashkëve e për gjithë vitin. Faleminderit për gjithçka e urime!”.
***
Por të kujtojmë disa çaste emocionesh, që i jetuan të gjithë sot paradite, në sa Papa vizitonte Radion tonë.
Ishte një injektim i jashtëzakonshëm besimi e shprese: me këtë shpirt e jetoi familja e Radio Vatikanit vizitën e Benediktit XVI, i cili gjatë kohës që kaloi ndër korridoret e Radios, mundi t’i njohë nga afër ata që ditë-natë - siç nënvizoi vetë Papa – punojnë për t’i çuar botës Lajmin e Mirë. Tepër i prekshëm emocioni ndërmjet grupeve të ndryshme, edhe pse Papa u shkri me emocionet dhe entuziazmin e përgjithshëm, duke pyetur, duke u përgjigjur e duke inkurajuar.
Të shumta çastet e këndshme që u përjetësuan në arkivat e programeve të ndryshme:
Redaktorët e programit polak e pritën Papën Ratzinger me fjalët:
Në shenjë mirënjohjeje e vlerësimi, kemi përgatitur, pikërisht për Juve, 91 fragmente që keni shqiptuar në gjuhën polake!
***

***

***
- Jam i programit indian. Është hera e parë që e shikoj personalisht Papën e ri. Na jep guxim. Ç’të them: jam tepër i emocionuar!
- Jemi shumë të kënaqur që e pamë. Ne i shërbejmë Atit të Shentjë duke e çuar mesazhin e tij në Kinë për katolikët kinezë. Përmes shërbimit të Radios besimtarët kinezë mund ta dëgjojnë drejtpërdrejtë mesazhin e Papës.
- Nuk mund të imagjinohet sa u emocionuam, sa u kënaqëm, edhe për faktin se Papa u kujtua që na kishte takuar disa muaj më parë në Kolegjin etiopik. Jemi tepër të kënaqur!







All the contents on this site are copyrighted ©.