Nesër Papa Benedikti XVI do të vizitojë Radio Vatikanin me rastin e 75 –vjetorit të
Emitentes të Selisë së Shenjtë. Ditë historike nesër për Radio Vatikanin. Benedikti
XVI do të vizitojë emitenten tonë me rastin e 75-vjetorit të fillimit të transmetimeve.
Ngjarja e madhe do të transmetohet drejtpërdrejtë si nga Radio Vatikani, ashtu edhe
nga interneti e nga Tele- Pace. Janë fjalët e shqiptuara më 12 shkurt 1931 nga
Gulielmo Markoni, shpikës i Radio Vatikanit dhe nga Piu XI, që i përuroi transmetimet
e saj me radiomesazhin e tij drejtuar botës. Kanë kaluar 75 vjet që nga ajo ditë,
po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës,
duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike e kulturore e duke
rrokur mbarë kontinentet me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Benedikti XVI
vjen të takohet me këtë familje të madhe në shërbim të Atit të Shenjtë e të Kishës
dhe të përtërijë motivin kryesor të punës së saj, shprehur në Lutjen e Engjëllit të
Tënzot të së dielës, më 12 shkurtin e kaluar: “... me mjetin e radios e pastaj
të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më
shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”. Benedikti XVI është papa i gjashtë që
viziton Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore;
Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta
e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, nisur nga paraardhësi
i tij dhe Gjon Palit II. E Benedikti XVI gjatë vizitës, së tij, do të përurojë pllakën
përkujtimore kushtuar pikërisht “Kardinalit Vojtila” në Studion 3, ku Papa i ardhshëm
i pati dhënë mbi 30 intervista Programit Polak pranë Radio Vatikanit. E sot Radio
Vatikani, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht
gjuhën më të përparuar të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur
i pandryshueshëm për 75-vjet: të çojë, me mikrofonet e saj, në botë, zërin e Papës
e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur,
ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë. Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga
59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore. Por ç’kuptim ka për
personelin e Radio Vatikanit takimi i nesërm me Papën Benedikti XVI, pritja e të cilit
po jetohet me emocione të thella? Përgjigjet kardinali Roberto Tuçi, ish- Drejtor
i Radio Vatikanit: “Është një inkurajim i madh të kemi këtu, me ne, Papën. Radio
Vatikani dëshiron të jetë – e vlerësohet si e tillë – Radioja e Papës e, prandaj,
vizita e Atit të Shenjtë është mbështetje dhe nxitje e madhe për të gjithë ata që
punojnë këtu; njëkohësisht ky takim është edhe garanci: Jemi besnikë ndaj Papës e
ai na e njeh këtë besnikëri! Por çfarë realiteti do të gjejë Benedikti XVI gjatë
kësaj vizite në Radio Vatikan, institucion që, me karakterin e tij shumkulturor,
përpiqet t’i flasë botës për botën? Të ndjekim Drejtorin e Përgjithshëm të emitentes,
Atë Federiko Lombardin: “Dëshirojmë të jemi sadopak një pasqyrë e universalitetit
të Kishës, e pasionit të saj për ta shprehur mesazhin, që është i përbashkët në shumë
gjuhë e në shumë kultura të ndryshme, nëpër popujt e ndryshëm të botës”.