2006-03-01 20:00:33

Papa kryesoi në Aventin ritete e të Mërkures së Përhime që hap kohën e Kreshmëve


Sot pasdite Benedikti XVI kryesoi në Aventin ritin e të Mërkures së Përhime: Papa theksoi se përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në botën e sotme, nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja, por Udha e Kryqit, shtegu i dashurisë, që të mëson t’i kundërvihesh së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë.
Sipas traditës, Papa kryesoi një bashkësi lutjeje në formën e “Stacioneve romake”, që filloi në Kishën e Shën Anslemit në Aventin, për të vijuar më pas, me procesion, drejt bazilikës së Shën Sabinës, ku u kremtua Mesha e shoqëruar me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes.
Homelia, mbajtur nga Ati i Shenjtë, filloi me shpjegimin e traditës shumë të lashtë romake të stacioneve kreshmore, në një nga Bazilikat ku ruhen reliket e martirëve, që përbëjnë themelet e Kishës së Romës e që, pavarësisht nga kalimi i viteve, nuk i humbasin kurrë vlerat. Kujtohen, kështu, ata që e dëshmuan Krishtin duke derdhur gjakun e tyre për Të, kujtesë që e nxit çdo të krishterë të përtërijë lidhjen e tij me Ungjillin.
Më pas, duke komentuar ritin simbolik të kësaj dite, përhimjen, dhe fjalët që e shoqërojnë, Papa theksoi se një rit i tillë na kujton qortimin e Joelit Profet, të cilin besimtarët e dëgjuan në leximin e parë; qortim që vlen edhe për ditët tona:
***
“Gjesteve të jashtme, karakteristike për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca e veprave, sepse ç’vlerë ka të coptosh rrobat, kur zemra mbetet larg nga Zoti, dmth nga e mira e drejtësia? Ajo që ka vlerë të vërtetë, është të kthehesh tek Zoti me shpirt të penduar, për të fituar kështu mëshirën e tij”.
***
Një shpirt të ri e një zemër të re – këtë kërkojnë besimtarët sot me fjalët e Psalmit pendestar ‘Miserere’ – duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë – theksoi Papa – i vetëdijshëm se është mëkatar, dëshiron me gjithë vetveten – shpirt, zemër e korp – të meritojë mëshirën hyjnore që e bën krijesë të re e i kthen gëzimin dhe shpresën.
Një aspekt tjetër i përshpirtërisë kreshmore – vijoi të shpjegonte Ati i Shenjtë, - është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër shpirtit të së keqes. Çdo ditë – kujtoi Papa – e posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, i krishteri duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë, ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur mundi tundimin e mbram, duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit. Është një betejë shpirtërore – vijoi Shenjtëria e Tij, betejë kundër mëkatit e kundër shejtanit, që është zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej Benedikti XVI kërkoi që besimtarët të jenë vigjilentë e, duke cituar një frazë të Shën Agostinit, i ftoi të gjithë t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen, sjellin vdekjen.
Kreshmët – shpjegoi më pas Papa – na kujtojnë se jeta e krishterë është një betejë e pafundme. Për ta përballuar, ngjeshim armët lutjes, të agjërimit e të pendesës. Ndjekja e Krishtit – tha Papa, duke kujtuar se Kreshmët e sivjetme nisin në një atmosferë konfliktesh tragjike, që kërcënojnë seriozisht ëndrrat paqësore të njerëzimit – i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes.
***
“Mund të themi se kjo sjellje shpirtërore na ndihmon të kuptojmë më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie të rreme. Përgjigja e atij që ndjek Krishtin është të ecë në rrugën e zgjedhur nga Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, por më të frytshëm të dashurisë. Në gjurmët e Tij e të bashkuar me Të – porositi Papa - të gjithë duhet të impenjohemi që t’i kundërvihemi së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë”.
Duke kujtuar Enciklikën e tij të parë dhe fjalët e Shën Palit: “Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) Papa nënvizoi: “Vetëdija se në Të vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”.
E dashuria – siç ripohoi Krishti në Ungjillin e sotëm, duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos të më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është në qiell, shikon edhe në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje, përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë – theksoi me forcë Benedikti XVI në përfundim të homelisë – është një nga elementet themelore të jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë e botës, “që njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell”. Në kohën e Kreshmëve dëgjojmë si rijehon ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu, të gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë pendesës, agjërimit e vemendjes ndaj vëllezërve, të ecim drejt Pashkëve, në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë të Krishtit.
***
Kështu pra, në Romë e në të gjitha kishat katolike të botës, sot nisi koha e përgatitjes për Pashkë. Kisha na fton kryesisht të rikthejmë tek Zoti. E kthimi ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për ta dashur më shumë Zotin e vijonë me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për të afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet kaq shumë për tensione, gjakmarrje, urrejtje, dhunë. Kreshmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt Pashkëve të ngjalljes!







All the contents on this site are copyrighted ©.