2006-03-01 17:03:28

Kreshmë do të thotë të dëshmosh Ungjillin e solidaritetit ndaj të varfërve:tha Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme


RealAudioMP3 të së Mërkurës së Përhime, Benedikti XVI u drejtoi besimtarëve ftesën ta dëshmojnë të vërtetën e Ungjillit dhe solidaritetin ndaj më të varfërve, ndërsa një grupi udhëheqësish fetarë hebrenj e myslimanë – përshëndetjen e vet të përzemërt.
“Të jetohen Kreshmët si çast kthese në rrugën e dashurisë ndaj të afërmit e të së vërtetës të Ungjillit, duke iu kundërvënë gënjeshtrës që e helmon njerëzimin”. Kjo ishte thirrja që Papa Benedikti XVI u drejtoi të krishterëve nga audienca e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i ftuar për kthimin e zemrave. Ndërmjet 12 mijë vetëve, të pranishëm në audiencë, edhe një grup udhëheqësish hebrenj e myslimanë, me të cilët Ati i Shenjtë shkëmbeu përshëndetje të përzemërta.
Me fillimin e Kreshmëve, të krishterët zbresin së bashku me Jezusin në shkretëtirë. E me Të luten, reflektojnë, agjërojnë, por mbi të gjitha, rizbulojnë dashurinë ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj të varfërve. Kreshmët janë kohë e privilegjuar për dashurinë, që bëhet bamirësi, që i krijon zemrës kushtet të bëjë kthesën e madhe. Përkimi i të Mërkurës së Përhime me audiencën e përgjithshme, e nxiti Benediktin XVI t’ia kushtonte katekizmin përmbajtjes së thellë liturgjike, që do të arrijë kulmin me Triditshen e Pashkëve:
***
“Sot nisim një rrugë reflektimi e lutjeje me të gjithë të krishterët e botës, për t’u drejtuar shpirtërisht nga Kalvari, duke medituar misteret kryesore të fesë. Përgatitemi kështu të provojmë, pas misterit të Kryqit, gëzimin e Pashkëve të ngjalljes”.
***
Simboli i hirit të vendosur mbi kokë – shpjegoi Papa – ka kuptimin e një nxitjeje shpirtërore: duke e ditur mirë sa e përkohshme është jeta njerëzore, na nxit ta mbështesim çdo çast shpresën vetëm në Zotin, duke u bashkuar personalisht e bashkërisht, me fjalën e Ungjillit: “Fjalë e së vërtetës” të cilën – nënvozi Papa – duhet ta dëshmojë çdo i krishterë:
***
“Jeta e të krishterit është jetë feje, e themeluar mbi Fjalën e Zotit dhe e ushqyer prej saj. Në provat e jetës e në çdo tundim, e fshehta e fitores qëndron në dëgjimin e Fjalës të së vërtetës e në mospranimin e vendosur të mashtrimit e të së keqes. Ky është programi i vërtetë e qëndror i Kohës së Kreshmëve: të dëgjojmë Fjalën e së Vërtetës; të jetojmë, të flasim e të veprojmë sipas së vërtetës e ta refuzojmë gënjeshtrën që helmon njerëzimin dhe e çon drejt të gjitha të këqijave”.
***
Kreshmët – vijoi Benedikti XVI, na nxisin të ecim në rrugën asketike e liturgjike që, nga njëra anë na bën t’ia hapim zemrën dashurisë së dhembshur të Krishtit, e nga ana tjetër, na krijon kushte t’i shikojmë me sy të ri vëllezërit e nevojat e tyre:
***
”Kush fillon ta shikojë Zotin (...) e shikon me sy të tjerë edhe vëllaun. E zbulon vëllaun dhe nevojat e tij. Prandaj Kreshmët, si kohë kur dëgjojmë të Vërtetën, janë njëkohësisht çast i favorshëm për t’u kthyer në rrugën e dashurisë (...). Të kthehemi, pra, medoemos, tek dashuria!”.
***
Këto fjalë, të thëna jashtë tekstit zyrtar, bënë që Papa të kujtonte tri përmasat që karakterizojnë këtë periudhë pendestare, përmendur edhe në Mesazhin e Tij të Kreshmëve: agjërimin, pendesën e posaçërisht, lëmoshën, ose më mirë të themi, solidaritetin:
***
“Të jenë ditë reflektimi e lutjeje të vazhdueshme, në të cilat ta lemë veten të udhëhiqemi nga Fjala e Zotit, që na e propozon begatisht liturgjia. Kreshmët të jenë edhe kohë agjërimi, pendese e vigjilence ndaj vetvetes, me bindjen se lufta kundër mëkatit nuk mbaron kurrë, sepse tundimi është realitet i përditshëm, ashtu si brishtësia e iluzionet janë përvojë e të gjithëve. Kreshmët të jenë, së fundi, edhe rast i ndarjes së sinqertë të dhuratave që kemi marrë, me vëllezërit si dhe vëmendjeje ndaj nevojave të njerëzve të varfër e të braktisur.
***
Përshëndetjes drejtuar grupit të myslimanëve dhe hebrenjve – me të cilët Papa u takua gjatë audiencës, në sa përshkonte në këmbë rrugën drejt veturës - i paraprinë fjalët e mirëseardhjes që Ati i Shenjtë i drejtoi Komitetit Papnor të Shkencave Historike, Kolegjit të Shën Izaisë, me rastin e njëqind vjetorit të këtij institucioni të urdhërit Antonian Maronit, si dhe meshtarëve të ardhshëm të Seminarit ndërdioqezan të Tarantos. “Të dashur seminaristë – u tha atyre Papa – ju ftoj ta ndërtoni jetën tuaj mbi shkëmbin e patundur të Fjalës së Zotit, për të qenë kështu, lajmëtarë të guximshëm të Ungjillit të Krishtit në kohën tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.