2006-03-01 19:48:41

Benedikti XVI do të vizitojë më 3 mars Radio Vatikanin


Më 3 mars Papa Benedikti XVI do të vizitojë Radio Vatikanin me rastin e 75 –vjetorit të Emitentes.Ati i Shenjtë do të arrijë në Pallatin Pio, seli e Emitentes sonë në Romë e do të pritet nga tre drejtorët tanë: Atë Federiko Lombardi s.j., Drejtor i Përgjithshëm; Atë Andrea Koprovski s.j., Drejtor i Programeve dhe Doktor Alberto Gasbarri, Drejtor Teknik dhe Administrativ.
Tre çastet kryesore të vizitës do të jenë:
Çasti i parë: bekimi i pllakës përkujtimore kushtuar “Kardinalit Vojtila” në Studion 3, ku në vitet para se të zgjidhej në selinë papnore, Karol Vojtila i dha programit polak pranë Radio Vatikanit, 30 intervista.
Çasti i dytë do të jetë ndalimi i shkurtër për t’u lutur në Kapelën e Zojës Nunciatë.
Ndërsa pjesa e fundit e vizitës do të organizohet në Sallën Markoni, ku Ati i Shenjtë, pasi të ndjekë përshëndetjen nga ana e Drejtorisë, do t’u drejtojë fjalën të pranishëmve.
Gjatë vizitës, Benedikti XVI do të takohet me 39 redaksitë gjuhësore të Radio Vatikanit, ndërmjet të cilave edhe redaksia e Programit Shqip pranë Emitentes dhe do të pritet në mjediset e reja të redaksisë të One-O-Five dhe të Programeve Muzikore.
Do të krijohen kushtet për ta ndjekur drejtpërdrejtë vizitën e Atit të Shenjtë në Programin One-O-Five, përmes Radios; në internet, përmes pamjeve të regjistruara nga Qëndra Televizive e Vatikanit si dhe në televizion, përmes Tele- Paces.







All the contents on this site are copyrighted ©.