“Jeta njerëzore është e shenjtë dhe e pacënueshme, duhet respektuar që nga zanafilla,
sepse është e krijuar nga vet Zoti”. Kështu pohoi Papa Racinger
në audiencën e sotme me afër 350 pjesëmarrës të Kongresit ndërkombëtar mbi embrionin,
që po zhvillohet në Vatikan, organizuar nga Akademia Papnore për Jetën. Jeta
njerëzore është e shenjtë dhe duhet respektuar që nga zënia, sepse vetë Zoti, që është
krijuesi i saj, e do pa kurrfarë dallimi në çfarëdo faze të zhvillimit. Kështu u shpreh
Papa Benedikti XVI duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e Kongresit ndërkombëtar
mbi embrionin, që vijon punimet në Vatikan. “Zoti nuk bën dallim ndërmjet jetës
që ka dalë në dritë e asaj që nuk ka lindur endè, sepse që të dyja mbajnë në vetvete
shenjën e atësisë së tij, mendim që Kisha e ka mbrojtur gjithnjë”. Ky është reflektimi
i Benediktit XVI në takimin me 350 pjesëmarrësit në Kongresin ndërkombëtar, që nisi
sot paradite në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan. Kongresi, i organizuar nga Akademia
Papnore për Jetën, që do të vijojë deri pasnesër, titullohet: “Embrioni njerëzor në
fazën e paraimpiantit: aspekte shkencore dhe konsiderata bioetike” dhe e përqendron
vëmendjen, duke u nisur nga etika dhe të drejtat e njeriut, tek fazat e para të zhvillimit
të qelizave embrionale. *** “Jeta njerëzore dhe ligjet që e sundojnë janë një
mister në të cilin inteligjenca njerëzore mund të depërtojë deri në një farë pike.
Përtej këtij pragu nis ‘aventura e së mbinatyrshmes’, që gjen përgjigje tek besimi
në Zotin e tek Shkrimi Shenjt, në faqet e të cilit është shkruar gjithë dashuria e
Zotit për çdo qenie njerëzore, shumë kohë përpara se të marrë trajtë në kraharorin
e nënës”. Me punonjësit shkencorë dhe studiuesit e gjenetikës – pjesëmarrës në Kongresin
që vijon në Vatikan, ku po diskutohet për embroninin njerëzor në ditët e para pas
zënies – Benedikti XVI nënvizoi lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor dhe reflektimit
etik. Bëhet fjalë – tha Papa – për një argument mahnitës e njëkohësisht, të vështirë
dhe impenjativ, për të cilin as Shkrimi Shenjt e as Tradita e krishterë nuk mund
të përmbajnë shtjellime të qarta. Megjithatë – vërejti më pas Papa: **** “Edhe
në mungesë të mësimeve të qarta mbi ditët e para të jetës së fëmijës që do të lindë,
në Shkrimin Shenjt mund të gjejmë përshkrime të cilat motivojnë ndjenjat e admirimit
e të vëmendjes ndaj njeriut që sapo është zënë, shumë interesante për ata që, si juve,
studiojnë misterin e lindjes së njeriut”. *** Librat e shenjtë - vijoi Benedikti
XVI – përpiqen të na tregojnë dashurinë e Hyjit për çdo qenie njerëzore, edhe para
se të marrë trajtë në kraharorin e nënës. Është një dashuri që nuk bën dallim ndërmjet
të sapozënit në kraharorin e nënës e fëmijës së lindur, ndërmjet të riut apo njeriut
të pjekur e atij që i rëndojnë vitet mbi supe. Nuk bën dallim, sepse në secilin prej
tyre shikon vulën e shëmbëllimit e të ngjashmërisë së vet: *** “Për këtë
arsye Magjisteri i Kishës ka shpallur vazhdimisht karakterin e shenjtë e të pashkelshëm
të çdo jete njerëzore, që nga zënia e deri në fundin e saj të natyrshëm. Ky gjykim
moral vlen që në fillimet e jetës të një embrioni, që para se të zërë vend në kraharorin
e nënës, e cila do ta ruajë e do ta ushqejë për nëntë muaj, deri në çastin kur do
të dalë në dritë: “Jeta njerëzore është e shenjtë dhe e padhunueshme në çdo çast të
ekzistencës së saj, edhe në çastin fillestar, që i paraprin lindjes”. *** Papa
e vlerësoi shumë veprimtarinë e zhvilluar nga Akademia Papnore e Jetës në shërbim
të këtyre bindjeve. Është një punë – tha Ati i Shenjtë – që kërkon të vendosë lidhjet
ndërmjet shkencës, etikës dhe së drejtës. “E di mirë – studiues të dashur – vijoi
Benedkti XVI - me ç’ndjenja plot mahnitje e respekt të thellë për njeriun e çoni përpara
punën tuaj impenjative e frytdhënëse kërkimore shkencore mbi vetë zanafillën e jetës
njerëzore”. Është një mister, kuptimin e të cilit shkenca do të jetë në gjendje ta
ndriçojë gjithnjë më shumë, ndonëse është tepër e vështirë ta deshifrojë plotësisht,
me që - shtoi Papa – njeriu do të mbetet gjithnjë enigmë e thellë dhe e padepërtueshme: *** “I
kemi përmirësuar jashtëzakonisht njohuritë tona dhe i kemi identifikuar më mirë kufijtë
e padijes sonë; por për inteligjencën njerëzore duket se është bërë tepër e vështirë
të kuptojë se, duke parë krijesën, takohet me gjurmën e Krijuesit. Në realitet, kush
e do të vërtetën, si juve, të dashur studiues, duhet ta perceptojë se kërkimi shkencor
mbi tema kaq të thella, na krijon kushtet ta shikojmë e, gati-gati, ta takojmë dorën
e Zotit. Përtej kufizimve të metodës eksperimentuese, në kufi të mbretërisë që disa
e quajnë cak-analize, atje ku nuk mjafton më ose nuk është i mundur më vetëm perceptimi
ndjenjësor, e as vërtetimi shkencor, nis aventura e së mbinatyrshmes, impenjimi për
të mos shkuar më përtej”.