Me fenë në Krishtin ndriçojeni errësirën në të cilën njerëzimi po ecën si i verbër:
kështu shprehet Benedikti XVI në mesazhin për Ditën XXI Botërore të Rinisë
Takimi i të rinjve, sivjet do të përqendrohet mbi temën: “Llambë për hapa të mij është
fjala jote, dritë mbi udhën time”, takim i cili përfaqëson një etapë të afrimit ndaj
Ditës Botërore të Rinisë që do të kremtohet në Sidnej, në korrik të 2008-tës. “Prania
plot dashuri e Zotit, përmes Fjalës së tij, është llambë që davarit errësirën e frikës
dhe ndriçon shtigjet edhe në çastet më të vështira”: - kështu shkruan Benedikti XVI
në mesazhin për D XXI BR, që do të kremtohet më 9 prillin e ardhshëm, të Dielën e
Larit. Takimi i të rinjve, përqëndruar sivjet tek tema “Llambë për hapat e mi është
Fjala jote, dritë mbi udhën time”, është një etapë drejt DBR të Sidneit, në korrik
2008. *** “Ta ndërtojnë jetën mbi Krishtin, duke e pritur me gëzim Fjalën e
Zotit e duke i vënë në jetë mësimet e Tij”: ky është programi për të rinjtë e Mijëvjeçarit
të Tretë, për të cilin flet Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën XXI Botërore të Rinisë.
“Është urgjente – shkruan Papa – që të lindë një brezni e re apostujsh, e rrënjosur
në fjalën e Krishtit, e aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës sonë dhe e gatshme
për ta përhapur kudo Ungjillin”. Këtë – vijon Ati i Shenjtë – jua kërkon Zoti, për
këtë ju fton Kisha, këtë bota – pa e ditur as ajo vetë – e pret nga ju. E në se Jezusi
ju thërret – nxit Papa – mos kini frikë t’i përgjigjeni me bujari, posaçërisht kur
ju propozon ta ndiqni në jetën rregulltare ose meshtarake. Mos kini frikë, besojini
Atij e nuk do të mbeteni të zhgënjyer! Benedikti XVI, që kujton përvojën pasuruese
të fituar në DBR të Këlnit në gushtin e vitit të kaluar, i fton të rinjtë ta duan
“Fjalën e Zotit” dhe Kishën. Pikërisht Kisha – nënvizon , ju krijojn kushtete për
të hyrë në një thesar me vlerë kaq të lartë, duke ju ndihmuar të dini t’ia vlerësoni
pasurinë. Duajeni e ndiqeni Kishën që ka marrë nga themeluesi i saj misionin t’u tregojë
njerëzve rrugët e lumturisë së vërtetë- shkruan Papa e më pas flet për vështirësitë
që ndeshin të rinjtë e sotëm në përpjekjen për të gjetur lumturinë e vërtetë. Nuk
është e lehtë – lexohet në Mesazh - të njihet e të takohet lumturia e vërtetë në botën
ku jetojmë, në të cilën njeriu shpesh herë është peng i rrymave të ndryshme të mendimit,
që e shtyjnë, ndonëse beson se është i lirë, të humbasë në rrugën e gabimit ose në
gënjimet e ideologjive rravguese. Prandaj – vëren Papa – është urgjente të çlirohet
liria, të ndriçohet errësira në të cilën njerëzimi shkon duke u lëkundur, si i verbër.
Fjala e mishëruar, Fjala e së Vërtetës - pohon Papa - na bën të lirë dhe e drejton
lirinë tonë nga e mira. I nxit kështu të rinjtë ta meditojnë shpesh Fjalën e Zotit,
duke e lënë veten që Shpirti Shenjt të jetë mësuesi i tyre. Një pjesë të mirë
të Mesazhit, Papa ia kushton qëndërsisë të Fjalës së Zotit, si armë e domosdoshme
në luftën shpirtërore. Ajo – shpjegon Ati i Shenjtë – vepron me sukses dhe sjell fryt,
në se mësohemi ta dëgjojmë, për t’iu bindur më pas. E fshehta për të pasur një zemër
të butë – ripohon Papa – është të formosh një zemër të aftë për të dëgjuar. E kjo
arrihet duke medituar papushim Fjalën e Zotit e duke lëshuar rrënjë në të përmes impenjimit
për ta njohur gjithnjë më mirë. I nxit kështu të rinjtë të fitojnë familjaritet me
Biblën, ta kenë gjithnjë pranë, që të jetë për ta busull, e cila u tregon rrugën që
duhet të ndjekimn. Nga ana tjetër – shkruan akoma – një rrugë e sprovuar mirë për
ta thelluar e për ta shijuar fjalën e Zotit është lectio divina, që përbën një itinerar
vërtetë shpirtëror me etapa. Por – përfundon Mesazhi – leximi, studimi dhe meditimi
i fjalës duhet më pas të çojnë në një jetë bashkimi koherent me Krishtin e me mësimet
e tij”.