2006-02-25 11:15:17

Imzot Sgreçia: “Embrioni është fëmijë që nga zënia”. U paraqit Takimi ndërkombëtar i Akademisë Papnore për Jetën


‘Embrioni është fëmijë që në çastin e zënies e mbetet i tillë edhe kur e manipulojnë ose ia shkatërrojnë qelizat’. Kështu pohoi sot Ipeshkvi Elio Sgreçia në Sallën e Shtypit të Vatikanit, ku u paraqit takimi i ardhshëm i Akademisë Papnore për Jetën.
“Embrioni njerëzor në fazën e paraimpiantit: aspekte shkencore dhe konsiderata bioetike” – është titulli i kongresit ndërkombëtar që do të mbahet në Sallën e Re të Sinodit, në Vatikan, të hënën e të martën e ardhshme. Organizohet nga Akademia Papnore për Jetën, e cila pak më pas, e pikërisht më 1 mars, do të mblidhet në Asamblenë e saj të përgjithshme. Në qendër të diskutimit, në të cilin do të marrin pjesë rreth 350 specialistë, shkencëtarë, mjekë dhe punonjës shkencorë, do të jetë çështja në se embrioni njerëzor, në fillesat e zhvillimit, mund të konsiderohet person njerëzor dhe si i tillë, me të gjitha të drejtat njerëzore.
Pra do të kërkohen përgjigje për pyetjen: “ Çfarë është ai kompleks i vogël qelizash njerëzore, i cili në 6 deri në 9 ditët e para të fekondimit, nuk është mbjellur ende në mitrën amtare? Një fëmijë i mundshëm, që ka të drejtë të zhvillohet e të lindë, siç pohon Kisha, apo thjeshtë një grumbullim biologjik, i cili mund të përdoret, për shembull, për qëllime mjekësore, gjë që mbështetet nga shumë specialistë të bashkësisë shkencore?
Për këtë u fol edhe sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, ku kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, ipeshkvi Elio Sgreçia, paraqiti kongresin para gazetarëve, i ndihmuar edhe nga disa punonjës të tjerë të Akademisë - e po për këtë do të flitet më gjërë edhe në asamblenë e ardhshme. Ja si u shpreh Imzot Sgreçia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën:Dihet se qëndrimi i Kishës duket si qëndrim apriorist. Disa mendojnë se frymëzohet nga faktorë thjeshtë fetarë. Dihet se Komiteti Uarnok në Angli ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm. Dihet edhe se sot shumë mbështesin mundësinë për të eksperimentuar, për të ngrirë, për të përdorur pilulën e ditës pas, për të ndërtuar embrione thjeshtë për qëllime eksperimentimi, për të pasur një vëlla të njëllojtë me vëllaun tjetër e kështu me radhë. Atëherë ne pyesim në këtë takim: qëndrimi i Kishës katolike a ka argumente shkencore e filozofike që meritojnë të mbështeten edhe sot? Ne do të përpiqemi t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje dhe mendojmë se kemi argumente të mjaftueshme, të vlefshme, të cilat duam t’i propozojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.