2006-02-24 19:55:16

Të jeni ndërtues urash, veprimtarë të paqes: kështu i porositi Benedikti XVI ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, që i priti në përfundim të vizitës së tyre ad limina.


RealAudioMP3 “Pas viteve të trishtuara të luftës së fundit, ju sot, si veprimtarë të paqes, jeni të thirrur ta forconi bashkimin e të punoni me frymën e mëshirës, të mirëkuptimit e të faljes, në emër të Krishtit, si brënda bashkësisë së krishterë, ashtu edhe në indin e ndërlikuar shoqëror të Bosnjë-Hercegovinës”.
E di mirë – shtoi Ati i Shenjtë – se misioni juaj nuk është aspak i lehtë, ashtu siç e di edhe se i mbani gjithnjë sytë të ngulur tek Krishtit i cili, si i deshi të gjithë deri në fund të fundit, u ngarkoi nxënësve të vet një detyrë themelore, që i përfshin të gjitha të tjerat: detyrën të duan! Dashuria – nënvizoi Ati i Shenjtë - për të qenë frytdhënëse në planin shpirtëror, nuk duhet të ndjekë thjeshtë ligjet tokësore, por duhet ta lërë veten të ndriçohet nga e vërteta, që është Zoti e të shprehet në atë masë të lartë të drejtësisë, që është mëshira.
Duke u nisur nga dashuria, ipeshkvijtë nuk çkurajohen përballë problemeve që e mundojnë Bosnjën. E pikërisht tek këto probleme e vështirësi u ndalua Papa. Në mënyrë të veçantë kujtoi problemin e mërgimtarëve për të cilët – tha Ati i Shenjtë – uroj të përfundojnë marrëveshje të përshtatshme që sigurojnë të drejtat e të gjithëve. Më pas theksoi edhe nevojën e barazisë ndërmjet nënshtetasve të feve të ndryshme, urgjencën e masave që parashikojnë punësimin e të rinjve, duke pasur parasyh papunësinë e theksuar e sidomos uroi zbutjen e tensioneve ndërmjet etnive, trashëguar nga ngjarjet e ndërlikuara historike të këtyre trojeve.
Në rrethana të tilla, Papa vuri në dukje se emërimi, kohët e fundit, i një nunci me seli në vend, është tregues i afërsisë së Selisë Apostolike pranë instancave të ndryshme të Bosnjë-Hercegovinës. Por Benedikti XVI nënvizoi edhe disa shqetësime që kanë të bëjnë me jetën e dioqezave boshnjake. Në mënyrë të posaçme i porositi ipeshkvijtë të bëjnë të gjitha përpjekjet që të forcohet gjithnjë më shumë bashkimi i grigjës së Krishtit. Bashkim ndërmjte barinjve e rregulltarëve, ndërmjet klerit dioqezan e personave të përkushtuar – këtë nënvizoi fuqimisht Benedikti XVI – por edhe ndërmjet atyre që janë në shërbim të popullit të krishterë, duke kapërcyer, në se do të ishte e nevojshme, keqkuptimet dhe vështirësitë që lidhen me ngjarjet e së kaluarës. Nga ana e tij Kardinali Puljiç, kryeipeshkëv i Sarajevës, ripohoi impenjimin e episkopatit për të “risjellë paqën e për të krijuar një atmosferë pajtimi”. E këtë – pavarësisht nga qëndrimi i përfaqësuesve të Bashkësisë evropiane që – deklaroi Benedikti XVI, i mbyllin vazhdimisht veshët, për të mos i dëgjuar nismat, propozimet dhe kërkesat që bëhen nga ana e prelatëve.
Për ta kuptuar sa e thellë është dhimbja jonë – shtoi Kardinali – mjafton të kujtojmë se para konfliktit, katër dioqezat tona kishin rreth 820. 000 besimtarë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 466. 000. Shumë njerëz – vijoi Hirësia e Tij - janë larguar nga vendi ynë e me sa duket nuk do të kthehen kurrë më. Të tjerët, që dëshirojnë të kthehen, ndeshen menjëherë me indiferencën dhe apatinë ndaj aspiratave të tyre, si nga ana e politikanëve vendas, ashtu edhe nga ana e përfaqësuesve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Kardinali ripohoi edhe se jo pak kisha famullitare, kanonike, kuvende e ndërtesa të tjera janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë. Pavarësisht nga kjo e me shumë mundim – e siguroi Papën Kardinali Puljiç, po përpiqemi me të gjitha forcat të ngjallim shpresat në zemrat e të gjithëve edhe nëpërmjet rindërtimit të gjërave që janë shkatërruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.