2006-02-24 19:51:29

Papa u takua me presidentin e Shqiperise Moisiu


Me 24 shkurt në orën 11 Papa Benedikti XVI priti në audiencë, në Vatikan, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Zotin Alfred Moisiu, që shoqërohej nga e bija, Mirela dhe një grup bashkëpunëtorësh.
Është takimi i parë zyrtar i Presidentit të Shqipërisë me Benediktin XVI, ndonëse Zoti Mosiu e ka takuar edhe dy herë të tjera Papën Ratzinger: në salikimet e Papës Gjon Pali II dhe në fillimin e Papnisë të Benediktit XVI.
Gjatë audiencës Zoti Moisiu kujtoi takimin e tij me Papën Gjon Pali II, më 2 dhjetor 2002 e, më pas, të Lumen Nënë Terezë, pasi i dhuroi Papës një libër me portrete të Rregulltares së lume shqiptare, realizuar nga piktori disident Maks Velo, që ka bërë 15 vjet burgim në periudhën e diktaturës. Dhurata tjetër e Presidentit ishte figurja e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores të Shqiptarëve, realizuar me teknikën e mozaikut. Porsa e pa figuren, Papa tha menjëherë: - Zoja që ka fluturuar nga Shqipëria në Itali – duke kujtuar kështu traditën, sipas së cilës kuadri origjinal u mbart në mënyrë të mrekullueshme nga njëri vend në tjetrin. Mosiu i solli si dhuratë Papës edhe një orë në formën e kullës së sahatit që ndodhet në qendër të Tiranës, simbol i Kryeqytetit të Shqipërisë.
Ndërsa Benedikti XVI i dhuroi Presidentit Moisiu medalje të papnisë e rruzare. Bisedimi privat, në gjuhën italiane, zgjati rreth 20 minuta.
Zoti Moisiu u takua me Papën pas takimit që pati mbrëmë me Presidentin italian, Karlo Axelio Çampi, gjatë të cilit trajtoi përpjekjet e Shqipërisë në kuadër të detyrimeve dhe angazhimeve që rrjedhin nga siglimi i MSA-së (Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit) dhe shprehu besimin që klasa politike dhe qytetarët shqiptarë, duke pasur parasysh gabimet e së kaluarës, do të arrijnë të realizojnë kërkesat për të përmbyllur këtë proces. Presidenti Moisiu kërkoi mbështetjen e shtetit fqinj për ratifikimin nga parlamenti i ri italian të MSA-së midis Shqipërisë dhe BE-së, kërkesë që gjeti mirëkuptim të plotë.
Kujtojmë se marrëdhëniet e rregullta diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë u vendosën më 28. 10. 1991 në rang nunciature për Selinë e Shenjtë e ambasade për Republikën e Shqipërisë.
Ambasadori i parë i jashtzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, zoti Willy Kamsi, u prit në audiencë nga Shenjtëria e Tij në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale, më 22 prill 1993, tri ditë para vizitës të paharrueshme të Papës Gjon Pali II në Shqipëri. Hyri kështu në historinë e Shqipërisë si Ambasadori i parë shqiptar pranë Selisë së Shenjtë. Sot ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë Apostolike është Shkelqësia e Tij, Zef Bushati.







All the contents on this site are copyrighted ©.