2006-02-24 19:25:39

Lajme shoqerore e politike


Gjendje alarmi në Filipine pas dështimit të grushtit të shtetit për rrëzimin e presidentes Gloria Arrojo. Puçi ishte organizuar nga disa ushtarakë të ndihmuar nga opozita, por përpjekja e tyre dështoi pas ndërhyrjes së policisë së Manilës. Orvatja për rrëzimin e qeverisë së ligjshme ndodhi në përvjetorin e rënies së diktatorit Markos (1986).


Irani po bën përparime në pasurimin e uraniumit. Kështu njoftoi Agjencia ndërkombëtare e OKB-së për energjinë bërthamore. Javën e ardhshme do të paraqitet një raport i ri mbi gjendjen aktuale të programit atomik në Iran. Mes tjerash aty thuhet se shkencëtarët iranianë po punojnë në dhjetë centrifuga speciale për pasurimin e uraniumit. Këto kërkime, lexohet në raport, janë vetëm një hap larg përgatitjes së bombës atomike.


Pas sulmeve kundër xhamisë shiite të Samarrës dhe raprezaljeve ndaj sunitëve, në Irak po përjetohen çaste frike të një lufte civile. Zalmaj Halilzad, ambasadori amerikan në vend, u kërkoi sunitëve që të marrin pjesë në qeverisje ndërsa shiitëve u tha që të largojnë nga radhët e tyre njerëzit që mbështesin skuadrat e vdekjes, në mënyrë që të shmanget konflikti i armatosur mes te dyja palëve.


Gjykatësi Xhed Rakoff i Distriktit të Nju Jorkut, i kërkoi Uashingtonit që të bëjë të njohur të gjithë emrat e të burgosurve që gjenden në Guantanamo. Gjykatësi urdhëroi qeverinë që t’i dorëzojë listat me emrat e të gjithë të burgosurve brenda datës 3 mars.


Gjatë një interviste për gazetën austriake “Der Standard”, përfaqësuesi special i OKB-së për Kosovën Sëren Jesen Petersen, u shpreh se Serbia do ta humbasë Kosovën, sepse shumica e di pa mëdyshje se çfarë kërkon. “Mali i Zi mund të marrë rrugën e vet ndërsa afrimi i Serbisë me BE-ian dhe NATO-n mbetet peng i çështjes Karagjiq-Mladiq.”- tha Petersen duke folur mbi të ardhmen e Kosovës dhe Unionit Serbi-Mal i Zi.


Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së nisi shqyrtimin e padisë së paraqitur nga Bosnja në vitin 1993 kundër Jugosllavisë së atëhershme. Në këtë padi Bosnja akuzon Beogradin se ka kryer gjenocid ndaj bosnjakëve gjatë luftës civile. Nëse gjyqi vërteton akuzat, atëherë Beogradit do t’i duhet t’i paguajë Bosnjës disa miliarda dollarë dëme.







All the contents on this site are copyrighted ©.