2006-02-24 16:11:10

Filozofia dhe teologjia në mesjetën e krishterë.
Flet kryeipeshkvi i Chieti—Vasto-s Imzot Bruno Forte.


RealAudioMP3 “Në zbulimin e rrënjëve të krishtëra të Evropës”. Dëgjues të nderuar vijojmë bisedat radiofonike kushtuar rizbulimit të rëndësishëm dhe bukurisë së thesarit të krishterë të Kontinentit evropjan.
Sot do të ndalemi tek të drejtat e personit njerëzor që me Mesjetën marrin një forcë të panjohur më parë.
Në mesjetë të drejtat e njeriut fitojnë një forcë deri atëherë të panjohur. Është themelor kontributi i mendimit të krishterë, ashtu sikundër ishte jashtëzakonisht i frytshëm dialogu mes filozofisë dhe teologjisë. Ky aspekt i erës mesjetare është në qendër të intervistës me Imzot Bruno Forten, kryeipeshkëv i Chieti—Vasto-s.
Pyetje: Papa Wojtila në vitin 1981, pohoi se: “kuptimi i krishterë i njeriut, shëmbëlltyrë e Zotit, simbas teologjisë greke, kuptim i çuar më tej nga Shën Agustini, është rrënja e popujve të Evropës.” Pra është e pamundur të kuptohet Evropa pa ipeshkëvin e Hipponës, një afrikan.
Përgjigje: Me Shën Agustinin lindi “Un”-i, domethënë ndërgjegjësimi i protagonizmit të subjektivitetit njerëzor si person, si subjekt i lirë, i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës për veprimet e veta. E dimë se kontributi i madh që Krishtërimi, dhe në përgjithësi tradita hebraike dhe e krishterë i lanë kulturës perëndimore dhe krejt kulturës njerëzore, është njeriu në qendër të gjithçkaje.
Pyetje: Mesjeta na jep disa figura të jashtëzakonshme Shenjtërish filozofë, mjaft të sjellësh ndër mend Shën Anselmin, Shën Tomë Akuinin, dhe shumë të tjerë që mund të përmendim. Pra, besimi dhe arsyeja në mesjetë, ushqejnë njëri-tjetrin?
Përgjigje: Mund të themi se mes besimit dhe arsyes, në traditën e madhe të krishterë, vendosen tri lloje raportesh: i pari është ai i tërheqjes mes njëri-tjetrit që lidhet me Shën Agostinin; është raporti “kuptoj prandaj besoj”, “besoj prandaj kuptoj”. Është si të thuash se arsyeja është e pjerrur drejtë kapërcimit të vetvetes drejtë misterit edhe brendisë së misterit, besimi është i pjerrur drejt kuptimit të vetvetes me anë të mjetit të arsyes.
Lloji i dytë i raportit është ai “edhe edhe” që sanksionohet me revolucionin kulturor të shek. XII dhe me veprat e skolastikës mesjetare. Tomë Akuini është zëdhënësi gjenial. Besimi dhe arsyeja kanë secili hapësirat e veta, fushat e veta të kompetencës por duhet të lidhen me njëri-tjetrin me një lloj aleance. Kjo e shtyn besimin drejt arsyes, e shtyn që t’i bëjë pyetje vetvetes, dhe arsyen e shtyn drejt besimit, drejt transhendentalizmit.
Tipi i tretë është ai që, në një mënyrë o në një tjetër, vendos mes besimit dhe arsyes lidhëzat “ose ose”. Është një model që ka përshkuar në mënyra të ndryshme shpirtin e krishterë në të gjithë zhvillimin e vet shumëshekullor. Ky model, nga njëra anë lidhet me një lloj përçmimi që kanë ndaj arsyes spiritualistët entuziastë e të thekur, dhe nga ana tjetër, lidhet me një lloj mohimi të besimit të tradicionalistëve absolutë.
Është një model që ende në mënyra të ndryshme ndikon në të tashmen tonë. Është pikërisht ky model që ka vepruar në kundërvëniet mes ideologjisë moderne dhe besimit të krishterë. Por është një model që në fund del humbës sepse kur arsyeja absolutizohet dhe nuk i njeh caqet e veta, prodhon dhunë dhe kur besimi nuk përdor arsyen, rrezikon lehtësisht të shndërrohet në fondamentalizëm, kur heq dorë nga dinjiteti i vet i përvojës të plotë njerëzore.
Pyetje: Një nga aspektet më pak të njohura të Mesjetës, e përshkruar si epokë e errët dhe mbyllur ndaj takimeve me të tjerët, është dialogu mes filozofëve të krishterë dhe atyre arabë. A ka ndonjë mësim që mund të nxjerrim sot nga kjo përvojë?
Përgjigje: Mësimi është shumë frutdhënës. Le të mendojmë për aftësinë e mendimit të krishterë mesjetar për t’u hapur ndaj horizonteve të reja, për ta gjetur pozitiven kudo që ndodhet. Në të njëjtën kohë aftësinë për të hyrë në kontakt frytdhënës me tjetrin, edhe kur, në vështrim të parë na duket shumë i ndryshëm nga ne. Le të mendojmë se si e vlerëson Shën Tomë Akuini ndërmjetësimin arab me botën greke, si e vlerëson mendimin e madh aristotelian që i vjen në dorë, pikërisht nga përkthimi latinisht i teksteve arabe. Është një takim i veçantë por që na thotë se, kur mendjet e ndritura dhe të urta hapen ndaj misterit dhe pyetjeve që ai shtron, takimi në dobi të së vërtetës është gjithmonë i mundur.







All the contents on this site are copyrighted ©.