2006-02-23 19:11:28

KOLEGJI KARDINALOR DHE SHQIPTARËT


Kujtojmë se figura e kardinalit nuk është e huaj për historinë e Kishës katolike ndër Shqipëtarë. Për herë të parë u fol për krijimin e një kardinali shqiptar kur Shqipëria, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, u bë kështjellë e pathyeshme përballë vërshimit të turqëve osmanë drejtë Evropës ku, siç qe shprehur Sulltan Mehmet Fatihu, ëndërronin të vinin gjysmë- hënën mbi bazilikën e Shën Pjetrit dhe çallmën mbi kokën e papës. Në ato kohë të turbullta e të rrezikshme, qe menduar të krijohej kardinali i parë shqiptar. Një krijim i tillë do të luante rol të dorës së parë në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare nga vendi i vogël që po luftonte heroikisht e, sidomos në bashkimin e Evropës së krishterë në luftën kundër armikut të përbashkët. U fol, pra, për imzot Pal Engjëllin, aso kohe kryeipeshkëv i Durrësit dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kastriotit. Emrin e tij e njeh çdo shqiptar që di shkrim e këndim, sepse me të, si autor i dokumentit të parë të shqipes, ‘Formulës së Pagëzimit’, nis edhe historia e shqipes së shkruar. Por ndoshta pikërisht për arsye të trazimeve të rënda të kohës, mundësia për krijimin e një kardinali shqiptar mbeti vetëm ëndërr. Shumë dallgë të tmerrshme do të përplaseshin mbi Shqipërinë edhe Kishën e saj derisa kjo ëndërr të bëhej realitet.
***
E pikërisht për të tërhequr vëmendjen e botës nga vendi më i martirizuar nën diktaturën komuniste, që sapo kishte nisur hapat e parë drejt lirisë së ëndërruar kombëtare e fetare, Papa Gjon Pali II do të zgjidhte ndërmjet klerikëve shqiptarë të shpëtuar nga burgjet dhe kampet e përqëndrimit, kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e Tij, Mikel Koliqin, të cilin Ati i Shenjtë e emëroi prelat nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994.
Duke e pritur në audiencë më 28 nëntor 1994 Gjon Pali II do ta përgëzonte kardinalin e parë shqiptar me këto fjalë:
***
... Pas dimrit të ashpër të kundërshtimit të dhunshëm, Kisha shqiptare, së bashku me Ju, mund ta shohë me shpresë të ardhmen.
Dëshiroj t’ju shpreh, Zotëri Kardinal, mirënjohjen e thellë për shembullin e dëshmisë së patrembur ungjillore që keni dhënë gjatë kryerjes së shërbimit meshtarak.
***
Këtyre fjalëve plot mirënjohje të Papës Gjon Pali II, Kardinali Koliqi do t’i përgjigjej:
***
“Të gjithë e njohin dashuninë që ka Shenjtnia Juej për popullin shqiptar, dhe këtë e keni tregue shumë herë; e kuptova këtë qysh prej fjalimit Tuej në Otranto, në sa unë isha ende në burg. E këtë e tregoi edhe Ardhja Juej në Shqipni për rivendosjen e Hjerarkisë, kremtue solemnisht, që zgjoi aq shumë entuziazëm në popull e që pati jehonë në mbarë botën. Tashti emënimi kardinal ban të drejtohen sytë e botës mbi Atdheun tonë të harruem prej të gjithëve”.Por ta dëgjojmë vetë Kardinalin Koliqi, nga arkivi jonë në të cilin ruhen qindra zëra .







All the contents on this site are copyrighted ©.