2006-02-22 15:26:05

“Radio Vatikani mbushi 75-vjet, por e ndjen veten të re” – me këto fjalë drejtori i përgjithshëm i R.V., Atë Federiko Lombardi S.J.


RealAudioMP3 paraqiti në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë 75-vjetorin e radios, që Papa Benedikti XVI do ta vizitojë më 3 marsin e ardshëm.
Pasi festoi, më 12 shkurtin e kaluar, 75-vjet jete e në pritje për t’i kremtuar më 3 marsin e ardhshëm me vizitën e Papës në selinë e vet, për Radio Vatikanin dje ishte dita e paraqitjes publike të përvjetorit të saj. Drejtori i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi dhe drejtuesit më të lartë të Radios sonë u takuan me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit, ku folën për veprimtarinë e Radios së Papës, duke kujtuar historinë e saj, por sidomos, projektet e reja.
***
Një laborator gazetaresk e kulturor, që pati privilegjin të farkëtohej nga vetë shpikësi i radiofonisë. Një institucion i cili ka shkruar që në faqet e para, historinë e emitencës ndërkombëtare në rolin e saj si anëtare themeluese e Radio-Televizionit të Bashkimit Evropian (UER-EBU). Një Radio që sot, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të përparuar të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm për 75-vjet: të çojë, me mikrofonet e saj, në botë, zërin e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë. Kjo është Radioja e Vatikanit, e cila u paraqit dje paradite para gazetarëve. Një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore. Janë numra të cilët dëshmojnë për një realitet, që është edhe tipar themelor i emitentes: karakteri i saj shumkulturor, të cilin dje drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit e shpjegoi kështu :
***
“Dëshirojmë të jemi sadopak një pasqyrë e universalitetit të Kishës, e pasionit të saj për ta shprehur mesazhin, që është i përbashkët në shumë gjuhë e në shumë kultura të ndryshme, nëpër popujt e ndryshëm të botës”.
***
Atë Lombardi e nisi fjalën e tij duke ripohuar se përvjetori i Radios do të arrijë kulmin më 3 marsin e ardhshëm, me vizitën e Benediktit XVI në Pallatin Pio, seli e Radios. “Do të jetë një vizitë plot lëvizje – tha Atë Lombardi - gjatë së cilës Papa do të përurojë studiot e reja digjitale kushtuar Gjon Palit II i cili, kur ishte kardinal, pati folur shumë herë nga mikrofonet e Radios.
Larmia e jashtëzakonshme e krijimit radiofonik, që realizohet përmes stileve të ndryshme gazetareske profesionale të më se 200 redaktorëve të Radio Vatikanit, u nënvizua nga drejtori i Programeve, Atë Andre Koprovski:
***
“Besoj se mund të them që Radio Vatikani është një laborator kulturor e gazetaresk vërtetë i veçantë në panoramën e mjeteve të komunikimit, duke u bërë çdo ditë zë i magjisterit dhe i veprimtarisë të Papës e të Selisë së Shenjtë, e duke shikuar me një sy të vëmendshëm nevojat e shoqërive përkatëse, të larmive kulturore e të Kishave përkatëse të vendeve të ndryshme.
***
Ndërmjet arritjeve të përvjetorit, Atë Lombardi kujtoi kanalin e internetit të Radio Vatikanit, i cili me këtë rast ka “riveshur” grafikisht me një home page të re brendinë e vet në 30 gjuhë, të cilat çdo ditë pasurojnë në kohë reale arkivet multimediale të kanalit. Mbi këtë risi vuri theksin njëri nga ata që e projektuan, përgjegjësi i Webteam, Pietro Koko:
***
Përdorimi i internetit nga ana e Radio Vatikanit nuk është menduar thjeshtë si vitrinë ekspozite, as si diçka që mund t’ia ndërronte natyrën e saj radiofonike. Është pasur kryesisht parasysh që të mund të shfrytëzonte në kulm aftësitë për të qarkulluar brendinë multimediale. Lindi kështu projekti “Oecumene”. Ky projekt krijon kushtet për të shkruar me 13 alfabete të ndryshme që kemi në Radio, në 54 gjuhët, me të cilat i drejtohemi botës”.
***
Pyetjet e gazetarëve prekën argumente të ndryshme, ndërmjet të cilave, çështja e elektrosmogut apo e ndotjes së ajrit nga valët elektromagnetike, të cilën e shpjegoi Atë Lombardi, që u ndalua posaçërisht në lidhjen ndërmjet shqetësimeve të popullsisë e asaj që ka bërë Radio Vatikani:
***
Nga pikëpamja e ndërgjegjes sonë, si njerëz që përgjigjemi, ne e kemi ndërgjegjen të qetë, sepse e kemi studiuar thellësisht argumentin, jemi informuar vazhdimisht edhe në pikëpamje, të themi, shkencore e mjekësore dhe shumica – sipas mendimit tonë dërrmuese - e letërsisë kompetente, i shikon dëmet e, për pasojë edhe shqetësimet e njerëzve, që kanë të bëjnë me shëndetin, krejtësisht pa bazë. Përsa u përket shqetësimeve të popullsisë, ne jemi impenjuar që nga viti 2001 për respektimin e rreptë të kufijve që parashikohen nga ligjshmëria italiane. Të gjitha matjet e bëra nga autoritetet italiane, në këtë kohë, kanë arritur në përfundim se ne jemi duke i respektuar këto kufij që janë nga më të shtrënguarit në botë e prej këndej, se jemi jashtëzakonisht të vëmendshëm.
***
Edhe Radio Vatikani ka pasur ‘revolucionin e vet digjital’. Kalimi i plotë nga metoda analogjike, në formën e re të prodhimit e të transmetimit, është plotësuar gjatë 6-7 vjetëve, siç shpjegoi zëvendës- drejtori teknik i Radios, inxhinier Sandro Piervenanci, i cili nënvizoi sidomos përpjekjen e ndjeshme që është bërë për përgatitjen profesionale të redaktorëve dhe të teknikëve. Radio Vatikani i mijëvjeçarit të tretë ka 20 transmetitorë – me valë të shkurta, të mesme e modulime frekuence – 36 antena, 6 kanale satelitare. Në arkivet e saj të zërave ruhen 13 mijë orë material audio që ka të bëjë me papët, përdorimi korrekt dhe mbrojtja e të cilit është një nga detyrat e posaçme të Emitentes vatikanase. Atë Lombardi, duke iu përgjigjur njërës nga pyetjet që iu drejtua, shpjegoi lidhjen e ngushtë që ekziston ndërmjet Radio Vatikanit dhe Qëndrës Televizive të Vatikanit (CTV), e cila transmeton të gjitha veprimtaritë papnore.
Drejtori i përgjithëm i Radios sqaroi disa nga pikat kryesore që kanë të bëjnë me drejtimin e Emitentes, ndërmjet të cilave edhe mundësinë e përdorimit të publicitetit, si burim për të pakësuar koston vjetore prej rreth 20-25 milionë eurosh.
***
“Ne jemi tepër të vëmendshëm ndaj politikës së kursimeve, por kërkojmë me të vërtetë që impenjimi ynë i madh – kursimi, të arrihet pa flijuar lëndën e veprimtarisë që zhvillojmë. Digjitalizimi, automatizimi, na krijuan mundësitë të kursejmë në disa fronte e vijojmë ta bëjmë këtë vazhdimisht. Përsa i përket publicitetit, në se njihet e ndiqet mirë realiteti i Radio Vatikanit, të bie menjëherë në sy se është një rrugë tepër e vështirë për t’u praktikuar. Po japim vetëm një shembull: ne u flasim kinezëve për 40 minuta, më pas i rrotullojmë antenat e u flasim vietnamezëve për 45 minuta, pastaj i rrotullojmë përsëri e u flasim indianëve, në Tamil, për 20 minuta. Atëherë ç’i ‘shesim’ kinezëve, vietnamezëve, indianëve të Tamilit? Gjithsesi të gjitha rrugëzgjidhjet me karakter publiciteti na janë dukur, sa herë i kemi studiuar, tepër qesharake si rezultat, në krahasim me faktin se vlen më shumë ruajtja e karakteristikave tona, sesa fitimi në këndvështrimin ekonomik.
***
Një argument tjetër me interes ishte ai që ka të bëjë me dëgjimin. Atë Lombardi pohoi se në një shtrirje botërore është e pamundur të numrohen dëgjuesit, sepse përballë përqindjeve të llogaritshme të dëgjimit në një pjesë të Planetit – ku 1000 emitente ritransmetojnë programet e Radio Vatikanit – kemi edhe përqindjet që nuk mund të llogariten plotësisht në zona të tjera, si për shembull në zonat ku të krishterët janë pakicë. Por në fund të fundit - shtoi drejtori i përgjithshëm - ky nuk është qëllim i veçantë i Radios:
***
“Të themi të vërtetën, kemi edhe një farë lirie në këtë këndvështrim, sepse ne punojmë më shumë për t’u shërbyer edhe pakicave, se sa për të arritur suksesin e ndjekjes nga turmat e dëgjuesve”.
***
Pas shtatëdhjetë e pesë vjet shërbimi ndaj Selisë së Shenjtë dhe Kishës universale, Benedikti XVI, duke ndjekur traditën e Gjon Palit II, do ta vizitojë së shpejti Radion, duke shkelur në dhomat dhe studiot nga të cilat, në saje edhe të Santa Maria di Galeria, qëndër e transmetuesve dhe e antenave, zëri i saj mund të arrijë të krishterët, e jo vetëm ata, ndër metropole e fshatra të humbura, ndër akullnaja e pyje, ndër vende të mëdha e të vogla, ndërmjet të cilave edhe Shqipëria e Kosova, për të mos kujtuar se tashmë zëri shqip i Radio Vatikanit i sillet rrotull globit duke gjetur kudo shqiptarë të etur për të dëgjuar Lajmin e Mirë në gjuhën amtare.
Por në se nuk arrin zëri, tani arrin fjala e shkruar në kanalin ueb të Radio Vatikanit, në rrjetin e internetit me adresën: www.radiovaticana.org.







All the contents on this site are copyrighted ©.