2006-02-22 16:49:16

Më 24 mars do të mbahet Koncistori për krijimin e 15 kardinajve të rinj


Sot më 22 shkurt Benedikti XVI njoftoi se Koncistori i parë i papnisë së tij, për krijimin e 15 kardinajve të rinj, do të mblidhet më 24 marsin e ardhshëm.
Lajmi i pritur u dha sot paradite në festën e Katedrës së Pjetrit, gjatë audiencës së përgjithshme. Ishin të pranishëm, në Bazilikën e Vatikanit dhe në sallën e Palit VI, rreth 14 mijë besimtarë, ndërmjet të cilëve, mijëra të rinj. Koncistori – njoftoi Benedikti XVI në përfundim të katekizmit – do të kremtohet më 24 mars, pasi do të paraprihet, më 23 mars, nga një takim reflektimi e lutjeje që Papa do ta mbajë me të gjithë Kolegjin kardinalor e do të pasohet, të shtunën, nga një bashkëkremtim solemn, i kryesuar nga Ati i Shenjtë së bashku me kardinajtë e rinj.
***
“Ky njoftim jepet me vend në festën e Katedrës, sepse Kardinajtë kanë për detyrë ta mbështesin e ta ndihmojnë Pasardhësin e Pjetrit në kryerjen e shërbimit apostolik që i është besuar në drejtimin e Kishës.
Por, të njihemi me listën e Princave të rinj të Kishës në të cilën, siç vërejti Papa – pasqyrohet plotësisht universaliteti i saj: ata përfaqësojnë vende të ndryshme të botës dhe kryejnë funksione të ndryshme në shërbim të Popullit të Zotit:
imzot UILJAM JOZEF LEVADA, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë;
imzot FRANC RODÉ, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike;
imzot AGOSTINO VALINI, prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike;
imzot HORHE LIBERATO UROZA SAVINO, kryeipeshkëv i Karakasit;
imzot GAUDENZIO B. ROZALES, kryeipeshkëv Manilës;
imzot ZHAN-PERRE RIKARD, kryeipeshkëv i Bordosë;
imzot ANTONIO KANIZARES LLOVERA, kryeipeshkëv i Toledos;
imzot NIKOLAS ÇEONG-ZHIN SUK, kryeipeshkëv i Seulit;
imzot SHON PATRIK O’ MALI, kryeipeshkëv Bostonit;
imzot STANISLAU DXHIVISH, kryeipeshkëv i Krakovisë
imzot KARLO KAFARRA, kryeipeshkëv i Bolonjës;
imzot JOZEF ZHEN ZHE-KIUN, kryeipeshkëv i Hong-Kongut.
Përveç këtyre 12 kardinajve të rinj, Papa vendosi të lartojë në dinjitetin kardinalor tre kishtarë me moshë mbi 80-vjeç, duke pasur parasysh shërbimin që i kanë bërë Kishës me besnikëri shembullore e përkushtim të admirueshëm – siç nënvizoi vetë Benedikti XVI. Është fjala për:
imzot ANDREA KORDERO LANCA DI MONTEXEMOLO, Kryeprift i Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës;
Imzot PETER POREKU DERI, kryeipeshkëv nderi i Tamalit (Ganë);
Atë ALBERT VANHOI, ish- Rektor i Institutit Papnor Biblik dhe ish- Sekretar i Komisionit Papnor Biblik.
Duke u kthyer tek kronika e audiencës së përgjithshme, në festën e sotme të Katedrës së Shën Pjetrit, Papa kujtoi se kjo është një traditë e lashtë, që fillon nga shekulli IV – dhe u kërkoi rreth 3 mijë të rinjve, të mbledhur në bazilikën Shën Pjetrit – ta ushqejnë jetën personale e komunitare të kësaj feje që është themeluar mbi dëshminë e Pjetrit e të Apostujve të tjerë.
Të kremtosh “Katedrën e Shën Pjetrit” – shpjegoi Benedikti XVI – do të thotë t’i japësh asaj një domethënie të thellë shpirtërore e të pranosh një shenjë të privilegjuar të dashurisë së Zotit, Bariut të mirë e të amshuar, i cili dëshiron ta mbledhë mbarë Kishën e vet e t’i prijë në udhën e shëlbimit. Katedra e Ipeshkvit të Romës përfaqëson jo vetëm shërbimin e Tij ndaj bashkësisë romake, por misionin e prijësit të mbarë popullit të Zotit. Prandaj Benedikti XVI i ftoi të gjithë besimtarët që në këtë ditë të shkojnë fizikisht ose shpirtërisht pranë katedrës të Apostullit, në bazilikën Shën Pjetrit e aty të luten në mënyrë të posaçme për Ministerin e tij:
“Duke çuar sytë nga vetrata e alabastrit që hapet pikërisht përmbi katedrën, lutjuni Shpirtit Shenjt që ta mbështesë gjithnjë me dritën e tij e me forcën e tij shërbimin tim të përditshëm ndaj mbarë Kishës”.
Kardinajtë e rinj – siç tha Papa – e pasqyrojnë mirë universalitetin e Kishës: 8 vijnë nga Evropa, 3 nga kontinenti amerikan, 3 nga Azia e 1 nga Afrika. Me emërimet e reja numri i kardinajve arrin në 193, nga të cilët 120 me të drejtë zgjedhore, duke pasur parasysh se më 24 mars, ditë e Koncistorit, kardinali ivorian Agré dhe kardinali irlandez Konel do të kenë mbushur 80 vjet. Me këto emërime gjeografia e re kardinalore përbëhet nga 100 kardinaj evropianë, 32 latino-amerikanë, 20 veriamerikanë, 20 aziatikë, 17 afrikanë e 4 nga Oqeania.
Ditë emocionesh të thella e të paharrueshme për kardinajtë e rinj. Të ndjekim reagimin e jezuitit Atë Albert Vanhoi, ish rektor i Institutit Papnor Biblik e ish- Sekretar i Komisionit Papnor Biblik:Përsa i përket personit tim modest, mbeta vërtetë i mahnitur, sepse nuk e prisja fare. Qe një lajm krejtësisht i papritur. Por, duke reflektuar, kuptova se Ati i Shenjtë ka qenë i kënaqur nga bashkëpunimi im kur isha sekretar i Komisionit Biblik për 11 vjet. Isha, pra, bashkëpunëtori i tij i drejtpërdrejtë për këtë detyrë të Kishës. E vlerësova këtë qëndrim delikat të Papës, i cili është kujtuar për një ish-bashkëpunëtor, që vërtetë nuk e meritonte këtë emërim kaq fisnik.







All the contents on this site are copyrighted ©.