2006-02-21 18:12:16

Pritje përkujtimore e Pakteve Lateranense në Romë


Më 20 shkurt në Ambasadën e Italisë pranë Selisë së Shenjtë në Romë, u organizua një pritje, në përkujtim të Pakteve Lateranense dhe të Marrëveshjes të 1984-s të modifikimit të Konkordatit.
Në pritje ishin të pranishëm presidenti i Republikës të Italisë, Karlo Axelio Çampi; kryeministri, Silvio Berluskoni dhe autoritetet e tjera më të larta italiane. Për Selinë e Shenjtë – të pranishëm, sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Angelo Sodano; zevendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij për çështjet e përgjithshme, Imzot Leonardo Sandri; sekretari për marrëdhëniet me shtetet, Imzot Giovani Lajojo dhe autoritete të tjera të larta kishtare.
Ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë ekziston atmosfera e mirëkuptimit të plotë. Vetë kardinali Sodano, duke dalë nga takimi me dyer të mbyllura, nënvizoi se përsa i përket temës të marrëdhënieve ndërmjet Shtetit e Kishës Italia i jep botës një shembull të mirë lidhur me respektin e anasjelltë dhe bashkëpunimin. E ky shembull vijon që prej 16 vjetësh, gjatë të cilave kardinali Sodano ka marrë pjesë në takimet ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë. Ndërkaq Sekretari i Shtetit nuk e fshehu shqetësimin e tij për ngjarjet e fundit në Nigeri, ku janë sulmuar disa kisha e janë vrarë shumë të krishterë. Por ta dëgjojmë vetë kardinalin Sodano:
***
“Me të drejtë presidenti Çampi tha: ‘Nuk mjafton toleranca, duhet edhe respekti’. E ne nga Italia duhet ta vijojmë këtë mision në botë. Për këtë Kisha dhe Shteti punojnë së bashku. Në se i themi tanëve “ nuk ka liri për fyer”, duhet t’u themi edhe të tjerëve “ nuk ka liri për të shkatërruar e për të vrarë’. Ndërsa në planin politik duhet theksuar koncepti i reciprokësisë, posaçërisht kur bisedohet, kur udhëtohet. E ky është kontributi që Italia në veçanti e Evropa në përgjithësi, mund të japin për progresin e shteteve të tjera, të kulturave e feve të tjera.
***
Edhe për kryeministrin Berluskoni, tensionet që kanë shpërthyer ndër vendet arabe ngjallin shqetësime. Kryetari i Këshillit të Ministrave, duke folur para gazetarëve, nuk i kujtoi drejtpërdrejtë ngjarjet që lidhen me karikaturat satirike, por ripohoi se ekstremizmi nuk duhet të fitojë:
***“ Shqetësohemi, sepse ekziston kjo lëvizje brënda masave islamike, që nuk është vetëm kundër Perëndimit, siç e dimë, por edhe kundër vetë qeverive të tyre, të cilat akuzohen se po i oksidentalizojnë vendet islamike. Besoj se qeveria është në gjendje ta përjashtojë rrezikun që vendi ynë të vihet veçanërisht në shënjestër.







All the contents on this site are copyrighted ©.