2006-02-21 20:13:05

Papës Benedikti XVI iu paraqit Vjetari papnor 2006 mbi gjendjen e të krishterëve e të Kishës në botë.


sipas Vjetarit të ri kishtar, numri i katolikëve në botë ka arritur në 1 miliard e 98 milion besimtarë. Është rritur numri i meshtarëve dhe i seminaristëve, posaçërisht në Azi e në Afrikë, ndërsa në Evropë thirrjet për rrugën meshtarake janë në rënie shqetësuese.
Këto janë disa nga të dhënat e Vjetarit papnor 2006, që iu paraqit të shtunën e kaluar Atit të Shenjtë nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Angelo Sodano dhe nga Imzot Leonardo Sandri, zevendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij për çështjet e përgjithshme. Vjetari i ri është përgatitur nën kujdesin e imzot Vitorio Formatit, drejtor i Zyrës Qëndrore statistikore të Kishës, të profesor Enriko Nenës e bashkëpunëtorëve të tjerë. Vëllimi do të dalë së shpejti ndër librari.
****
Papa i falënderoi të gjithë ata që kanë marrë pjesë në përgatitjen e vëllimit dhe u interesua shumë për të dhënat e reja, që pasqyrohen në Vjetarin e parë të Papnisë së tij.
Në Vjetar pasqyrohet periudha nga viti 2003 në vitin 2004. Të dhënat kryesore statistikore janë: numri i katolikëve në botë ka kaluar nga 1 miliard e 86 milionë në 1 miliard e 98 milionë, me një rritje prej 12 milionë besimtarësh e me përqindje 1, 1%. Duke i ballafaquar këto të dhëna me evoluimin në të njëjtën periudhë, të popullsisë botërore, që ka kaluar nga 6 miliard e 301 milion banorë në 6 miliard e 388 milion banorë, vërehet se prania e besimtarëve katolikë të pagëzuar pakësohet: kalon nga 17, 2 katolikë për 100 banorë në vitin 2003 - në 17, 1, në vitin e mëpasëm.
Prirja për rritjen e numrit të meshtarëve në botë ka vijuar edhe gjatë vitit 2004. Në ketë vit numri i përgjithshëm i meshtarëve ka arritur në 404. 891 njësi, një e treta e të cilëve janë rregulltarë, ndërsa dy të tretat, dioqezanë. Numri i përgjithshëm i meshtarëve është rritur me 441 njësi. Këto të dhëna janë të nivelit planetar, ndërsa për kontinentet e ndryshme, të dhënat ndryshojnë. Përballë shtimit të vijueshëm të numrit të meshtarëve në Azi e në Afrikë, ku në të njëjtën periudhë shënohet një rritje respektivisht prej + 1. 422 e + 840 dhe gjendjes pothuajse të pandryshueshme në Amerikë dhe në Oqeani, vërejmë se numri i tyre në Evropë ka rënë në 1. 876 njësi.
Diakonët e përhershëm, në rritje që nga viti 1978, në vitin 2004 ishin 32. 324, të pranishëm posaçërisht në Amerikën Veriore dhe në Evropë, ku vërehet një rritje prej 2, 5 % në krahasim me 2003-n dhe, po të marrin për bazë vitin 1978 (kur numri i tyre ishte 5. 562) duhet arritur në përfundimin se numri i diakonëve është rritur në mënyrë të ndjeshme.
Kandidatët për meshtari, dioqezanë e rregulltarë, paraqesin përgjithësisht një rritje pozitive, duke kaluar nga 112. 373 në vitin 2003 – në 113.044 në vitin 2004. Shqetësimet më të mëdha në këtë drejtim vijnë nga Evropa, ku vitet e fundit rënia e numrit është bërë e ndjeshme. Ndërsa në Afrikë e në Azi vërehet një gjallërim inkurajues i thirrjeve për rrugën meshtarake.
Së fundi vërehet se gjatë vitit 2005 Ati i Shenjtë ka ngritur 15 seli të reja ipeshkvnore, ka themluar një seli metropolitane dhe një administraturë apostolike. Gjithsejt janë emëruar 170 ipeshkvij të rinj.
***
Kujtojmë se tre nga 170 ipeshkvijtë e rinj u emëruan më 23 nëntor 2005 nga Papa Benedikti XVI, në atmosferën e vijimit të riorganizimit të hjerarkisë kishtare në Shqipëri. E kemi fjalën për ipeshkvin e Sapës, imzot Dodë Gjergjin; ipeshkvin e Lezhës, Imzot Ottavio Vitalen dhe Ipeshkvin e Rrëshenit, Imzot Cristoforo Palmierin, të cilët deri në këtë datë mbulonin detyrat kishtare të administratorëve apostolikë në administraturat përkatëse.
***E me që Vjetari përfshin vitet 2003-2004, nuk mund të mos kujtojmë se më 14 nëntor 2004 bashkësia shqiptare e Romës u mblodh për herë të parë në kishën e vet për përurimin e saj zyrtar: është fjala për kishën e lashtë romake të Shën Gjonit të Mullagave, që iu besuar asaj nga dioqezi i Romës, sipas kërkesës së ipeshkvijve shqiptarë pranë Zyrës së Emigracionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Ndodhet në Sheshin me të njëjtin emër, në lagjen romake Trastevere. Tashmë kisha e re është bërë pikëmbështetje për të gjithë mërgimtarët shqiptarë në Itali, posaçërisht për formimin e tyre shpirtëror, për mbarështimin e sakramenteve dhe për kapërcimin e vështirësive që ndesh në mënyrë të natyrshme çdo njeri, i cili jeton në dhé të huaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.