2006-02-21 18:09:30

Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen për viktimat e sulmeve mbi kishat e Nigerisë.


RealAudioMP3 Në një telegram – Shenjtëria e Tij i inkurajon të gjithë të punojnë për paqen në vendin afrikan. Në mikrofonin tonë, prelati nigerian, Antoni Obina dhe ipeshkvi Bruno Forte, i cili ndalohet kryesisht në thirrjen e Papës për respektimin e lirisë fetare.
Papa shpreh dhimbjen e tij të thellë për viktimat e protestave të dhunshme në Veri të Nigerisë, gjatë të cilave gjetën vdekjen më se 15 të krishterë. Në një telegram, nënshkruar nga kardinali Angelo Sodano, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Benedikti XVI u shpreh afërsinë e tij shpirtërore familjeve të viktimave dhe kujton në mënyrë të veçantë, Atë Mikel Gajeren, vrarë gjatë sulmit mbi kishën e tij. Gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ nënvizon se meshtari e dëshmoi Ungjillin në shkallën më të lartë, duke dhuruar jetën për Krishtitn, pikërisht si don Andrea Santoro. Atë Gajere u vra mizorisht, pasi ia doli mbanesh të shpëtonte heroikisht ministrantët e vegjël, të pranishëm në famulli. Ati i Shenjtë lutet për të gjithë njerëzit e impenjuar për të garantuar sigurinë, duke inkurajuar përpjekjet e tyre për sigurimin e paqes dhe promovimin e shtetit të së drejtës, që e dëshirojnë të gjithë njerëzit vullnetmirë. Por, si po e jeton Kisha në Nigeri këtë çast të vështirë? Përgjigjet, në mikrofonin e radios sonë, prelati nigerian, Entoni Obina, kryeipeshkëv i Ouerit:
***
- Kërkojmë gjithnjë të kemi dialog me myslimanët, posaçërisht në dioqezën verirore të Maudugurit, ku të krishterët i kanë dënuar karikaturat e Muhametit.
***
- Imzot Obina, është thjeshtë çështje fetare, apo fshihen edhe aspekte politike pas këtyre ndeshjeve?
***
- Qeveria e Veriut nuk ka bërë kurrë aq sa duhet për të mbrojtur jetën e të krishterëve. Pas 11 shtatorit, kur në Nju Jork Al Kaeda shembi Kullat Binjake, në Nigeri rreth 200 të krishterë u vranë, ndërsa shumë kisha u dogjën. Shpesh herë politikanët myslimanë i manipulojnë besimtarët e varfër islamikë dhe e përdorin emrin e Zotit, të Allahut, për t’i shtyrë njerëzit në përdorimin e dhunës. Në veri të Nigerisë udhëheqësit islamikë i përdorin kështu njerëzit e varfër për të kryer veprime të dhunshme jo për qëllime fetare, por politike. Përveç meshtarit të vrarë, ishte në rrezik vdekjeje edhe ipeshvki i Maudugurit. Deshën ta digjnin të gjallë duke i vënë flakën shtëpisë ku banon, por për fat të mirë, atë ças ishte jashta dioqezës.
***
Ndërkaq policia pakistaneze njofton se ka arrestuar 23 persona të cilët, të dielën e kaluar, i vunë zjarrin dy kishave të krishtera në qytetin jugor të Sukurit. Komisioni “Drejtëssi e paqe” i Konferencës Ipeshkvnore të Pakistanit ka shpërndarë një komunikatë, përmes së cilës dënon “shkeljen e tmerrshme të ligjit dhe paaftësinë e qeverisë për të ndaluar shpërdorimet fetare që janë vërejtur në Pakistan”. Ndërkaq kanë pasur jehonë të gjërë fjalët e Benediktit XVI i cili dje, në fjalimin drejtuar ambasadorit të Marokut pranë Selisë së Shenjtë, ripohoi se asnjë lloj fyerje nuk mund ta përligjë dhunën. Lidhur me thirrjen e Papës, ftuam për një reflektim, në mikrofonin e radios sonë, imzot Bruno Forten, kryeipeshkëv i Kieti- Vastos:
***
- Argumenti kryesor i asaj që thotë Papa është se respektimi i ndërgjegjes e, prej këndej, i lirisë fetare, është vlerë themelore e lidhur me atë të dinjitetit të pakufizuar të njeriut, të çdo njeriu. Duke u nisur nga ky parakusht, arrijmë tek disa pasoja tepër të rëndësishme, të cilat na kujtojnë se fyerja që i bëhet vetëdijes fetare, nga cilado palë që të vijë, është e papranueshme e duhet refuzuar me vendosmëri. Së dyti, për të njëjtën arsye, ata që e ndjejnë veten të fyer sepse është përdorur satira kundër vlerave e simboleve fetare themelore të besojmës së tyre, duhet të jenë garantë, rojtarë të lirisë fetare të të tjerëve. E kjo do të thotë që, në se Islami ka të drejtë të ndjehet i fyer nga karikaturat, për të njëjtën arsye e ka edhe për detyrë të garantojë dinjitetin dhe lirinë fetare të çdo njeriu.
***
- Papa ripohon, edhe në këtë situatë të vështirë, një temë të fortë, që karakterizon Papninë e tij: e vërteta dhe dashuria janë të pandashme. Si mund ta vemë në jetë këtë parim në fushën e marrëdhënieve ndërmjet feve e kulturave?
***
- E vërteta e madhe, në bazën e këtyre marrëdhënieve, është pikërisht vlera e patjetërsueshme, e shenjtë, e personit njerëzor, e qenies njerëzore si e tillë. Për ta argumentuar këtë, Papa përdor motive që i përkasin antropologjisë së përgjithshme. Papa nuk luan rolin e avokatit të Zotit, ai flet në emër të dinjitetit të njeriut, të çdo njeriu. E pikërisht për këtë arsye fjala e tij duhet dëgjuar jo vetëm nga besimtarët, por nga të gjithë njerëzit. Mbi bazën e kësaj së vërtete themelore të dinjitetit të njeriut, të qenies njerëzore, të ndërgjegjes, lidhja fe-kulturë duhet garantuar nga dy parime themelore: i pari, liria fetare; por pa harruar parimin e dytë; sipas tij, liria e secilit duhet të matet e të vërtetohet mbi bazën e lirisë të të tjerëve.
- Pikërisht duke u nisur nga fjalët tuaja të fundit, kujtojmë se nga të katër anët kërkohet respektimi i të drejtës së reciprokësisë. Në botën islamike kjo ndjeshmëri për lirinë fetare nuk është e fortë, si në Perëndim. Prej nga duhet të nisemi, atëherë?
***- Sigurisht nga procesi i dialogut me karakter kulturor, i cili në mënyrë të natyrshme, është edhe fetar. Duhet mbështetur gjithnjë vlera e dialogut. Së dyti, edhe nga qartësia në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, në sistemin ndërkombëtar të marrëdhënieve, vendet perëndimore që garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e të gjithëve, duke filluar nga e drejta e lirisë fetare, e kanë për detyrë të ngrenë zërin, në mënyrë që këto të drejat të respektohen kudo. E kjo është edhe një nga detyrat kryesore të OKB-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.