2006-02-20 20:17:40

Organizmat ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojnë indiferente kur shkelen të drejtat e pakicave fetare:


kështu shprehet në mikrofonin e radios sonë rektori i studimeve arabe dhe të Islamistikës, Atë Justo Lakunca Balda, pas sulmit mbi kishat e krishtera në Nigeri e në Paksitan.
“Tani për tani situata është e qetë, ndërsa forcat e rendit patrullojnë rrugët”. Ky është njoftimi që na jep, nga Agjensia Fides, Imzot Matju Manzo Ndagozo, ipeshkëv i Midugurit, kryeqytet i Shtetit të Bornos në Nigerinë veri-lindore, ku në fundjavën e kaluar u ushtruan akte të rënda dhune, gjatë të cilave humbën jetën të paktën 15 vetë, ndërmjet të cilëve edhe don Mikel Galere, meshtar vendas. Gjatë sulmit u dogjën 4 kisha katolike si edhe strukturat e konfesioneve të tjera të krishtera. Edhe në Pakistan, e pikërisht në Sukkur, qindra manifestues myslimanë sulmuan dy kisha. Pas kësaj vale dhune, nuk duhet të jetë thjeshtë reagimi kundër karikaturave të Muhametit. Për këtë është i bindur Atë Justo Lakunca Balda, rektor i Institutit Papnor të studimeve arabe dhe të Islamistikës, në mikrofonin e radios sonë:
***
Mendoj se karikaturat satirike janë thjeshtë pretekst. Shkaqet duhen kërkuar gjetiu. Së pari, në prapambetjen shoqërore, në mjerimin në të cilin jetojnë mijëra e mijëra nigerianë e pakistanezë. Nga ana tjetër, ndeshjet nuk janë ngjarje që po i shohim vetëm sot. Kanë ndodhur edhe në të kaluarën e në Nigeri vërehet një fenomen tepër shqetësues: jemi në përfundim të mandatit të dytë të presidentit në vend. Së shpejti do të votohet. Në disa shtete në veri të Nigerisë është shprehur qartë kërkesa për të pasur në krye të vendit një president mysliman..
Unë mendoj se një nga problemet më të mëdha, që shqetësojnë botën aktuale lidhur me marrëdhëniet ndërmjet besimtarëve, është pikërisht problemi i statusit të pakicave brënda vendit. Nuk mjafton që një vend të quhet laik, shekullar, me ligjshmëri civile. Duhet që pakicat e krishtera të kenë, në praktikë, mundësinë për të shpallur lirisht fenë e tyre e për të ndjekur kultin e tyre. As më pak as më shumë. Ky është elementi themelor i bashkëjetesës paqësore.







All the contents on this site are copyrighted ©.