2006-02-17 20:02:11

Papa shpreh ngushëllimet për viktimat e rrëshqitjes së tokës që në fshatin e Guinsaugonit, në rajonin qendëror të Filipineve, shkaktoi me qindëra të vdekur e dëme të mëdha materiale.


Në një telegram të nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Angelo Sodano, drejtuar ipeshkvit të Maasinit, imzot Precioso Cantillas, Ati i Shenjtë shpreh afërsinë e tij shpritërore me ata që janë të goditur nga kjo tragjedi. Më tej Papa Benedikti XVI kërkoi që ndihmat për të shpëtuarit e kësaj katastrofe të jenë të “shpejta” e “bujare”.
Së fundi, Papa inkurajon të gjithë personat që në këto orë janë duke bërë përpjekje për t’u lehtësuar vështirësitë viktimave dhe siguron lutjet e tija drejtuar Zotit për ata që vuajnë e janë të sprovuar, duke u dhënë të gjithëve bekimin e vet apostolik.


Sot paradite Ministri i Jashtëm i Spanjës Miguel Angel Moratinos, vizitoi në Vatikan kardinalin Angelo Sodano, Sekretar të Shtetit të Vatikanit. “Gjatë takimit të përzemërt - pohon njoftimi i Sallës së Shtypit të Vatikanit – janë marrë në shqyrtim argumente të ndryshme lidhur me marrëdhëniet bilaterale dhe problemet tjera që kanë të bëjnë me jetën e Kishës në Spanjë në situatën aktuale. Kjo vizitë krijoi mundësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve mbi situatën ndërkombëtare, posaçërisht mbi Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine”.
Ministri i Jashtëm spanjoll – vijon deklarata e Vatikanit – “ka siguruar gatishmërinë më të madhe të Qeverisë së Spanjës për të pritur Atin e Shenjtë në vizitën e tij të programuar në Valencias, në korrikun e ardhëm, me rastin e Takimit të V-të Ndërkombëtar të Familjeve”. Morantinos, nga ana e tij e ka ftuar Selinë e Shenjtë të mbështesë nismën e Qeverisë spanjolle për një “Aleancë Qytetërimesh ndërmjet botës perëndimore dhe botës arabe e myslimane”.








All the contents on this site are copyrighted ©.