2006-02-16 20:40:03

Papa dhe Vatikani: Angazhimi i përbashkët për rivendosjen e pajtimit e të paqes, në respektimin e të drejtave njerëzore e në mënyrë të veçantë të lirisë fetare: kjo ishte ndër temat kryesore të bashkëbisedimeve të Papës me kryeministrin e Libanit Fouad Siniora në takimin e sotëm në Vatikan.


Një vit pas vrasjes së kryeministrit Rafik Haririt, vra me 14 shkurtin e vitit të kaluar bashkë me njëzetë persona tjerë, Papa Benedikti XVI priti sot në audiencë pasaardhësin, kreun e qeverisë së Libanit, Fouad Siniora me bashkëshorten dhe delegacionin zyrtar shoqërues të përbërë nga pesë ministra, ambasadori i Bejrutit pranë Selisë së Shenjtë, Naji Abi Assi, e këshilltarë diplomatikë. Kjo vizitë, sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë,- që kishte për qëllim konfirmimin e devocionit të madh të popullit libanez ndaj Papës së Romës e ndaj Selisë së Shenjtë në përgjithësi, e cila përherë është pranë këtij Kombi fisnik”.
Në bisedën private mes Papës Ratzinger dhe kryeministrit Siniora, që zgjati afro 20 minuta, është folur mbi situatën aktuale në Liban dhe në Lindje të mesme, mbi temën e dialogut me Islamin dhe edukimin e popullsive në pajtim e paqe, pas situatës së krijuar në vendet myslimane pas botimit të karikaturave mbi Muhametin. Një tjetër temë mbi të cilën kanë shkëmbyer opinionet Ati i Shenjtë dhe Presidenti libanez është ajo e marrëdhënieve ndërmjet feve të ndryshme të pranishme në Liban dhe mbi incidentet e kohëve të fundit në lagjen kristiane të Bejrutit. Po kështu u folë mbi takimin që u mbajt ditëve të kaluara nga kryeministri libanez me të gjithë krerët fetar të vendit të kedërave.
Për Libanin, duhet thënë se dy ditë më parë, qendra e Bejrutit ishte e rrethuar: flamuj të bardhë e të kuq, parulla kundër shërbimeve sekrete siriane të akuzuara për vrasje të Haririt dhe kërkesa për dorëheqjen e Presidentit filosirian Emile Lahoud. Para një viti, pikërisht në saje të mobilizimit të stërmadh të turmave të qytetarëve, që u quajt “revolucioni i kedrave”, u realizua tërheqja e ushtarëve sirianë nga Libani, pas 29 vjetësh të qendrimit të tyre ushtarak në këtë vend. Në Liban ndryshimi akoma nuk arrijnë të asimilohet në të gjitha aspektet sociale. Për këtë, Kisha maronite, ka deklaruar disa herë duke kërkuar një “pajtim kombëtar”, për çka ajo ka qenë në shenjestër të shumë sulmeve. Këto ditë, me rastin e festës së Shën Maronit, murgut që ka jetuar në Siri ( 345-420) besimtarët e të cilit në shekujt që pasuan u quajtën Maronitë, patriku, kardinali Nasrallah Pierre Sfeir u ka bërë thirrje të fuqishme “të gjithë besimtarëve maronitë të ndërmarrin udhën e re të një spiritualiteti të vërtetë të bazuar mbi pajtimin, tolerancën e faljen reciproke”.
Duke përmendur incidentet e javëve të kaluara që kanë shkaktuar dëme shpirtërore e materiale në vende të ndryshme të kultit e në kuvende maronite në Bejrut, patriku Sfeir u ka kërkuar “përgjegjësve të garantojnë mbrojtjen e vigjilencën maksimale për të shmangur shpërthimin e një lufte të re civile që mund të shkatërrojë misionin e Libanit”. Po kujtojmë gjithashtu se me rastin e takimit me trupin diplomatik, në fillim të vitit, Papa Benedikti XVI, kur përmendi Libanin, e bëri duke nënvizuar se “popullsitë e këtij vendi duhet të gjejnë, edhe me mbështetjen e solidaritetit ndërkombëtar, thirrjen e vet historike, atë të bashkëpunimit të sinqertë e të frytshëm ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare”.( 16 shkurt 2006 R.V.)







All the contents on this site are copyrighted ©.