2006-02-13 20:05:13

Lutja e Engjëllit të Tenzot e Papës Benediktit XVI.


RealAudioMP3 Mendimi dhe kujtimi për të gjithë ata që vuajnë, ishte në qendër të Lutjes së Engjëllit të Tenzot të Papës Ratzinger dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtë Benedikti XVI-të kujtoi Ditën Botërore të të Sëmurit që u kremtue të shtunën e kaluar më 11 shkurt, hapjen e lojrave olimpike dhe 75 vjetorin e Radio Vatikanit. Papa
“Sot dua t’ia besoj Marisë, ‘Shëndetit të të sëmurëve’ të gjithë të sëmurit, në mënyrë të posaçme ata që, në çdo skaj të botës, përveç mungesës së shëndetit, vuajnë nga vetmia, nga mjerimi e mënjanimi”. “Një mendim të posaçëm – shtoi Papa – ua drejtoj edhe atyre që nëpër spitale e në çdo qendër tjetër shëndetësore, kujdesen dhe shërbejnë për shërimin e të sëmurëve. Zoja e Bekuar Virgjëra e Shenjtë i ndihmoftë secilit të gjejë ngushllim në trup e në shpirt, falë edhe një asistence së përshtatshme shëndetësore e barimësisë vëllazërore, që di të bëhët përkujdesje konkrete e solidare”.
“Më 11 shkurt – kujtoi Papa Ratzinger, në përkujtimin liturgjik të së Lumës Virgjërës të Lurdit, kemi kremtuar Ditën Botërore të Sëmurit, që sivjet u zhvillue në Adelajde, në Australi. Kjo ditë është një manifestim ndër më të rëndësishmit, përfshirë edhe Seminarin ndërkombëtar që u mbajt mbi temën përherë urgjente të shëndetit mendor. Sëmundja është shenjë tipike e gjendjes njerëzore, deri në atë pikë sa mund të bëhet metaforë realiste, siç e shpreh mirë në një lutje të tij Shën Agostini i cili thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot! Shiko: nuk ti fshehi plagët e mia. Ti je mjeku, unë jam i sëmuri; ti je i mëshirshëm, unë i mjerë( Rrëfimet X,39). Krishti është “mjeku” i vërtetë i njerëzimit’, që Ati qiellor e ka dërguar në botë për shërimin e njeriut, të shënuar në trup e në shpirt nga mëkati e nga pasojat e tij”.
Papa: “Pikërisht në këtë diele – shtoi më tej Papa në fjalën e tij gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot, - Ungjilli i Shën Markut na paraqet Jezusin i cili që në fillimet e misionit të tij publik, i përkushtohet plotësisht predikimit dhe shërimit të të sëmurëve nëpër fshatra të Galilesë”. Shenjat e panumërta të mrekullive që bën Jezusi ndaj të sëmurve, pohojnë “ lajmin e mirë” të Mbretërisë së Zotit. Kjo pjesë ungjillore që tregon për shërimin e një të gërbuluri nga Jezusi, – shpjegoi Papa – “shpreh në mënyrë shumë të qartë fuqinë e marrëdhënies mes Zotit e njeriut, që përmblidhet në një dialog të mrekullueshëm:
Papa “Nëse do, mund të më shërosh!’, thotë i gërbuluri. ‘Dua, shërohu’, i përgjigjet Jezusi, duke e prekur me dorë e duke e liruar nga gërbula (Mk 1,40-24). Këtu shohim si përmblidhet e tërë historia e shpëtimit”.
Ai gjest i Jezusit, shtrirja e dorës që e prek trupin e plagosur të personit që i lutet, - nënvizoi Papa – dëfton vullnetin e qartë të Zotit, i cili e do shërimin e krijesës së vet të rënë, duke ia kthyer jetën ‘në plotësi’, jetën e amshuar, të plotë, të lumtur.
Papa: “Krishti, pra, është dora që Zoti ia shtrin njerëzimit, në mënyrë që të mund të dalë nga vështirësitë e sëmundjes e të vdekjes, për t’u ngritur edhe njëherë në këmbë mbi shkëmbin e sigurt të dashurisë hyjnore”. Ndër besimtarësh e shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ishte edhe një grupë besimtarësh katolikë shqiptarë të Romës bashk me meshtarin shqiptar dom Arjan Dodaj, i cili u shpreh kështu në mikrofonin e Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë………………. 2.00”
Pas lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi se që “prej tri ditësh në Torino janë hapur Lojrat e XX-ta Olimpike Dimërore”. E Ati i Shenjtë i drejtoi përshëndetjen e vet “të përzemërt organizatorëve, përgjegjësve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të gjithë atletëve, të ardhur nga çdo skaj i botës”.
Papa: “Uroj që kjo garë e bukur sportive të zhvillohet në shenjën e vlerave olimpike të korrektësis, gëzimit e vëllazërimit, duke dhënë kështu një kontribut për paqen ndërmjet popujve”.

E pastaj Papa foli në mënyrë të veçantë për përvjetorin që pati dje Radio Vatikani, për ditëlindjen e radios së papës e tha:
Papa : “Pikërisht sot, më 12 shkurt, bie 75 vjetori i përurimit të Radio Vatikanit e të Radiomesazhit të parë drejtuar botës nga papa Piu XI, i cili pati ngarkuar shkencëtarin Guglielmo Marconin për ndërtimin e stacionit radiofonik të Vatikanit. Me instrumentin e radios, e pastaj të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e Papëve kanë mundur t’i mbërrijnë më shpejt e lehtë të gjithë njerëzit”. Në mbarim të Lutjes së Engjëllit të Tenzot, pasi përshëndeti besimtarët e shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa u dha të gjithëve bekimin e vet apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.