2006-02-11 20:51:52

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së VI gjatë vitit kishtar “B”. Këtu mund të dëgjoni emisionin e plotë.


RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës së gjashtë gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë.
Edhe kësaj here, në pjesën ungjillore të së dielës, marrë nga Shën Marku Ungjilltar, nënvizohet sërish dhembshuria e Jezu Krishtit ndaj vuajtjeve të njeriut, dhe vullneti i tij për ta çliruar, madje për ta shpëtuar njeriun prej çdo të keqe. Pjesa ungjillore e kësaj së diele flet për njeriun e vdekur nga pikëpamja civile e shoqërore, për një të sëmurë nga gërbula, e këndej si i tillë ishte i dëbuar prej personave dhe rrinte në vetmi. I sëmuri nga gërbula ishte i mënjanuar nga rrethi shoqëror, për arsye se në periudhën e Jezusit, gërbula më shumë se çdo sëmundje tjetër, ishte simbol mëkati e faji para Zotit.
Jezusi duke e lejuar të gërbulurin t’i afrohet, duke lejuar të preket prej tij që i kërkon: “Më shëro”, — të gjithë mëkatarëve i dëfton se Zoti i pret përherë bijtë e vet të braktisur, të humbur, të sëmurë, të pushtuar nga e keqja, plot përdëllim. Ungjilli na tregon se Jezusi dëshmon dashuri për të sëmurit, për të papastërtit, për të refuzuarit e të mënjanuarit e shoqërisë dhe pohon se ka ardhur për shpëtimin e të gjithë atyre që mbështetën në dashurinë e në fuqinë e tij hyjnore, për të gjithë ata që kanë besim, fe në Hyjin Atë e Atij i drejtohen me lutje e zemër të sinqertë.
Duke iu afruar të sëmurit nga gërbula, Jezusi shkel kanonet fetare e sociale të epokës së vet, por për Jezu Krishtin, para së gjithash është njeriu, mbi të gjitha vjen njeriu dhe prandaj ndërhyn për shpëtimin e tij. Jezusi, kategorikisht refuzon përdorimin e religjionit ( të fesë) për të përjashtuar e për t’i ndarë njerëzit. Kurrfarë sëmundjeje, asnjë vuajtje, kurrfarë fatëkeqësie nuk duhet të bëhet pretekst për të braktisur ndokënd: dhimbja e të afërmit tonë është rast për ta dashur edhe më shumë, hapësirë për të treguar bamirësi e përkujdesje ndaj secilit që ka nevojë për ndihmën tonë. Prapa dhimbjes, gjithmonë fshihet një shpirt njeriu.

Eshtë një i gërbulur, o Jezus, prandaj nuk duhet ta prekësh:
për shkak të sëmundjes së vet
e kanë hedhur jashta fshatit
e tani i vetmuar endet vërdallë nëpër vende të pabanuara e të vetmuara.
Eshtë i gërbulur, o Jezus, nuk duhet ta prekësh:
frika e infektimit e ka detyruar
të lë shtëpi e familje, punë e miqë.
Eshtë i gërbulur, Jezus, nuk duhet ta prekësh:
pse nuk je i matur, pse nuk je i kujdesshëm?
E di fare mirë se kjo është sëmundje e tmerrshme
që shkatërron gjymëtyrët e,
që shpërfytyron trupin….


E megjithëkëtë, Jezus, ti do ta shërosh
këtë njeri që ka rënë në gjunjë para teje,
ti nuk do ta lirosh nga padrejtësia e nga përbuzja
pa e afruar pranë vetes, pa e prekur.
Edhe pse punë e rrezikshme….
edhe pse është infektues…..
po Ti, o Jezus, pikërisht për këtë
je bërë njeri,
për të na dëftuar Zotin e kemi afër:
afër atij njeriu që vuan,
afër atij njeriu që është rob i së keqes,
afër atij njeriu që ndjehet i lodhur dhe i vetmuar.
Në kontakt me sëmundje,
në kontakt me të këqijat më sekrete e të fshehta,
me realitetin shumëformësh të mëkatit,
ti o Jezus, ofron çlirimin e pashpresuar,
duke rrezikuar jo vetëm të infektohesh,
por, deri edhe jetën tënde.
E kjo zgjedhje, ky përcaktim dashurie
do të të çojë në kryq.
Kryqi yt, dru shëlbimi për çdo njeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.