2006-02-09 19:35:36

Benedikti XVI u takua sot me kardinalin Kamilo Ruini, i cili nesër do të kremtojë, në bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran, salikimet e don Andrea Santoros.


Benedikti XVI u takua sot me kardinalin Kamilo Ruini, i cili nesër do të kremtojë, në bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran, salikimet e don Andrea Santoros, që u vra në sa lutej në kishën e tij, në Trebizondë. Pak para se të vritej, i kishte nisur Papës një letër jashtzakonisht prekëse për misionin e tij në ato vise. Këtë e tregoi vetë Ati i Shenjtë dje, gjatë audiencës së përgjithshme, duke theksuar se e kishte prekur pa masë fakti se meshtari, më shumë se për vete, shkruante për të varfërit e tij, madje shkruanin ata vetë. Kjo letër u publikua sot, në sa një numër i madh njerëzish po bëjnë homazhe në Kishën e Shenjtorëve Fabiani e Venanci, ku është vendosur arkivoli me trupin e don Andreut, i cili ka qenë këtu famullitar për disa vjet. Emocione të thella, lot, dhimbje, por sidomos lutje e shumë, shumë mirënjohje për atë që e udhëhoqi famullinë romake të Shenjtorëve Fabiani e Venancio që nga viti 1994 deri në vitin 2000. Me këto ndjenja i afrohen njerëzit trupit të meshtarit të vrarë mizorisht të dielën e kaluar në Trebizondë, vendosur në navatën qëndrore. Një radhë e gjatë besimtarësh e autoritetesh vijon të presë për t’i dhënë lamtumirën famullitarit që i kaloi çastet e fundit të jetës aq larg famullisë së tij e aq pranë të varfërve që i zevendësuan të tijtë. Prandaj edhe homazhet janë kaq prekëse, kaq të sinqerta. Dikush kujton një frazë, tjetri një anekdotë, tjetri një porosi, gjë që tregon qartë se famullitari ka lënë gjurmë të thella në zemrën e besimtarëve të tij, gjurmë që koha nuk do ta ketë të lehtë t’i shlyejë.







All the contents on this site are copyrighted ©.