2006-02-08 19:39:14

U paraqit në Nju Jork libri “Pa rrënjë” i kardinalit të asokohshëm Ratzinger, vëllim i shkruar së bashku me Marçelo Perën, kryetar i Senatit italian.


“Një etikë e përbashkët është e mundur”: këtë ripohi dje në Nju Jork, kryeipeshkvi Çelestino Migliore, duke cituar fjalët e librit “Pa rrënjë” shkruar nga kardinali i atëhershëm Racinger, në bashkëpunim me kryetarin e Parlamentit italian, Marçelo Pera, duke paraqitur vëllimin në Universitetin Kolombia të Nju Jorkut.

Bota e sotme është e ndërlidhur përmes tregtisë, flukseve financiare dhe komunikimit digjital, por nga ana kulturore është e copëzuar, për shkak të perceptimeve të ndryshme pothuajse në të gjitha fushat. Që këtu u nis kryeipeshkvi Çelestino Migliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në fjalimin që mbajti pranë Universitetit Kolombia të Nju Jorkut për paraqitjen e librit “Pa rrënjë”, shkruar nga kardinali i atëhershëm, Jozef Racinger, së bashku me kryetarin e Parlamentit italian, Marçelo Pera, ku morën pjesë edhe teologët e Fëgl e Shlinder. Nganjëherë – vijoi prelati – të duket sikur, ndërsa qeverisja globale ka një logjikë të veten, asaj i mungon etika. Prandaj Papa shpreh një dozë të mirë realizmi ndërtimtar, kur pohon mundësinë e një etike të përbashkët. Racionaliteti i argumenteve – shkruan ai – duhet ta mbyllë hendekun ndërmjet etikës shekullare e asaj fetare, duke themeluar etikën e arsyes, që i kapërcen dallime të tilla”.
Në diskutimin e tij, Pera theksoi se Perëndimi, e në veçanti Evropa, po kalojnë një situatë të rëndë krize morale e shpirtërore. Më pas shpjegoi se kjo krizë identiteti paraqet gjashtë simptoma: refuzimin për të përmendur rrënjët judaiko-kristiane në kushtetutën evropiane, faktin se harrohet që të drejtat themelore të njeriut janë të njohura, por jo të krijuara nga ligji, përpjekjen për t’i hequr fesë së krishterë çdo lloj roli shoqëror, duke e diskriminuar në krahasim me fetë tjera, multikulturalizmin, relativizmin e, së fundi, pacifizmin, sipas të cilit në se qytetërimi i krishterë evropian vlen njëlloj sa qytetërimet e tjera, nuk ka kuptim të përdoret forca për ta mbrojtur. Evropa në thelb duhet të ketë zhvilluar një lloj sindrome të fajësisë, në bazë të së cilës, në se terroristët shpallin “Xhihadin” apo luftën e shenjtë të Islamit, përgjegjësia bie mbi ata që kanë bërë të lindë mllefi i tyre.
Një shembull praktik do të ishte pikërisht përgjigja e rrufeshme që shpërtheu këto ditë për shkak të publikimit të disa karikaturave satirike mbi Islamin e Muhametin nga ana e një gazete daneze. Ilaçi që këshilloi Pera, duke cituar Papën, është roli i pakicave krijuese, të afta të rikrijojnë identitetin e humbur, duke e rijetuar këtë identitet.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.