2006-02-06 20:38:14

Vlera dhe mbrojtja e jetës ishin në qëndër të reflektimit të Papës Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 5 shkurtit në Vatikan, ndërsa në Itali kremtohej ‘Dita e 28-të për Jetën’ me temë “Të respektohet jeta”.


RealAudioMP3 Të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit dhjetra-mijëra njerëz. Ndërmjet tyre, një numër i madh laikësh që kryejnë veprimtarinë në fushën e mbrojtjes së jetës, posaçërisht veprimtarë të “Lëvizjes për jetën”, të shoqëruar me këtë rast, nga kardinali Kamilo Ruini, të cilin Benedikti XVI e përshëndeti në mënyrë të posaçme, duke e vlerësuar për veprimtarinë e organizuar.
***
“Duhen bërë të gjitha përpjekjet që jeta të mirëpritet gjithnjë si dhuratë dhe të shoqërohet me dashuri”- nënvizoi Papa – duke i falënderuar të gjithë ata që punojnë në këtë drejtim. Prej këndej - edhe ftesa për t’u lutur e për të reflektuar të gjithë mbi temën e Ditës së djeshme, ‘Të respektohet jeta’, posaçërisht kur ndodhet në rrezik. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi mësimet e Enciklikës ‘Evangelium Vitae’ të Gjon Palit II, “gur i vërtetë kilometrik në Magjisterin e Kishës”- vërejti Benedikti XVI – përsa i përket kësaj çështjeje kaq të rëndësishme e aktuale, sepse na tregon se jeta njerëzore është vlera e parë që duhet njohur, të cilën Ungjilli na fton gjithnjë për ta respektuar. E themelor në promovimin e jetës është shërbimi i bamirësisë, vlera e të cilit vihet mirë në dukje – kujtoi Ati i Shenjtë – në Enciklikën “Deus Caritas est”.
***
“Para nismave operative, është themelore të promovohet një sjellje e drejtë ndaj tjetrit: në të vërtetë kultura e jetës bazohet në vëmendjen ndaj të tjerëve, pa asnjë përjashtim ose dallim”.
***
Prandaj çdo jetë njerëzore, si e tillë, meriton dhe kërkon të mbrohet e të promovohet, si ajo që bëhet gati të dalë në dritë, ashtu edhe ajo që është vënë në provë nga braktisja ose nga vuajtja, posaçërisht në fazën e saj përfundimtare:
***
“E dimë mirë se kjo e vërtetë rrezikohet shpesh të kundërshtohet nga hedonizmi i përhapur në të ashtuquajturat shoqëri të mirëqenies: jeta lavdërohet derisa është e këndshme, por kur preket nga sëmundja ose nga gjymtimet, lind prirja për të mos e respektuar më”.
***
Në një ditë aq të veçantë, siç ishte dita e djeshme kushtuar jetës, Papa ia besoi Zojës së Bekuar gratë që presin fëmijë, familjet, punonjësit e shëndetësisë dhe vullnetarët që impenjohen në mënyra të ndryshme për mbrojtjen e jetës, duke u lutur veçanërisht për njerëzit që ndodhen në kushte të vështira e duke kujtuar, së fundi, se dje në çdo dioqezë të Romës filloi “Java për jetën e për familjen”, që do të arrijë kulmin të dielën e ardhshme me një veprimtari festive në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.