2006-02-06 20:41:07

Disa vende islamike janë bërë këto ditë teatër protestash lidhur me ngjarjen e botimit të disa karikaturave satirike për Muhametin.


Në Liban manifestuesit sulmuan një kishë të krishterë maronite e në Siri dogjën ambasadat e Norvegjisë dhe të Danimarkës.
Shikojmë se në botën arabe po shtrihet me shpejtësinë e njollës së vajit protesta për karikaturat mbi Islamin, të cilat së pari u botuan në Danimarkë e në Norvegji e më pas edhe në vende të tjera.

Benedikti XVI për vrasjen e don Andrea Santoros

Një nga lajmet më tronditëse për Kishën është ai i vrasjes së don Andrea Santoros, meshtarit 58 vjeç, që u qëllua dje me armë zjarri në famullinë e Shën Marisë në Trebisondë të Turqisë. Ndërsa pritet arritja e trupit të tij në Romë për salikimet, sqarohet se don Santori u vra me dy plumba nga një adoleshent. Para se të qëllonte mbi meshtarin, që lutej pranë elterit të Kishës së tij në Trebizondë, vrasësi bërtiti: “Allahu është i madh!”. Vriste kështu një njeri që ia kishte kushtuar gjithë jetën Krishtit, dialogut me fetë e kulturat, mirëkuptimit reciprok ndërmjet popujve.
Papa Benedikti XVI e quajti sot meshtarin e vrarë, fidei donum i klerit romak, ‘dëshmitar guximtar i Ungjillit të dashurisë së krishterë’. Përmes dy telegrameve, drejtuar sot kardinalit Kamilo Ruini dhe vikarit apostolik në Anatoli, imzot Luigji Padovezes, Papa dënon çdo formë dhune dhe uron që gjaku i derdhur nga don Andrea të bëhet ‘farë shprese’ për krijimin e vëllazërisë së vërtetë ndërmjet popujve”.
Po cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj vrasjeje, prej nga lindë pyetja: të jetë e lidhur edhe kjo me tensionin e përgjithshëm aktual të botës myslimane që vijon?
Dje forcat e sigurimit libanez përdoren gaz lotsjellës kundër grupeve të manifestuesve, të paktën 2 mijë vetë, mbledhur përpara ambasadës daneze në Beirut. Gjatë ndeshjeve u sulmua edhe një kishë kristiane maronite. Ministri i drejtësisë, Sharl Rizk dënoi sulmin mbi kishën, të cilin e quajti veprim të papranueshëm. Kishat e krishtera – shtoi ai - nuk kanë të bëjnë fare me karikaturat.
Ndërsa sot në Liban ministri i brëndshëm, Hassan Sabeh, dha dorëheqjen pas protestave të djeshme në Beirut. Qeveria libanese i kërkoi falje Danimarkës për zjarrin që shpërtheu në selinë e konsullatës daneze, ku gjeti vdekjen një manifestues. Disa parlamentarë libanezë kanë akuzuar Sirinë si shkaktare të trazirave që shpërthyen dje në një nga lagjet e krishtera të Beirutit.
Të shtunën e kaluar, në Siri, disa demonstrues sulmuan dhe dogjën ambasadat e Danimarkës dhe të Suedisë në Damask. Pas këtyre episodeve, qeveritë e Kopenhagenit dhe të Oslos i ftuan nënshtetasit danezë dhe norvegjezë të largohen sa më shpejt nga Siria.
Një manifesim tjetër, në të cilin morën pjesë më se 200 vetë, u organizua të shtunën e kaluar në Stamboll, ku manifestuesit dogjën flamurin danez. Edhe në Tripoli manifestuan qindra vetë e në Jeruzalemin lindor flamujtë danezë u shtruan si qilima para disa dyqaneve palestinese, për t’u shkelur kështu nga kalimtarët. E sot dhjetra të rinj palestinezë sulmuan zyrën e përfaqësisë të Bashkimit Evropian në qytetin e Gazës dhe, për të protestuar kundër karikaturave, gjuajtën me shishe boshe e me gurë kangjellat e ndërtesës, para së cilës dogjën edhe flamurin evropian, ndërsa hidhnin parrulla antievropiane.
Në Indonezi, vendi më i madh mysliman në botë, mijëra njerëz janë mbledhur në Gjakartë para ambasadës daneze, duke pritur që qeveria e Kopenhagenit t’u kërkojë falje.
Në Iran, presidenti Mahmud Ahmadinexhab urdhëroi të rishikohen dhe të anullohen kontratat ekonomike me Danimarkën. Qeveria e Teheranit thirri edhe ambasadorin e saj në Kopenhagen. Në Jordani, përveç tjerash, u arrestua drejtori i një reviste, që kishte botuar disa nga karikaturat për Muhametin.
Në Malajzi drejtori i gazetës kryesore në gjuhën angleze Sarawak Tribun, dha dorëheqjen dhe kërkoi ndjesë për shkak të botimit të karikaturave në gazetën e tij. Ka mundësi që qeveria ta mbyllë fare të përditshmen.
Në Kabul, gjatë manifestimeve kundër satirave, policia ka vrarë dy persona e ka plagosur 3 të tjerë: janë viktimat e para të protestave që vijojnë kudo në botën islamike.
Por përveç këtyre manifestimeve të protestës, nuk mungojnë edhe ftesat për vetpërmbajtje; e një thirrje të ngutshme bëri sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Kofi Annan, i cili theksoi se e kupton plotësisht pakënaqësinë e miqve islamikë, feja e të cilëve është fyer nga karikaturat satirike, por njëkohësiht ripohoi edhe të drejtën e fjalës. Gazeta që botoi e para karikaturat në fjalë, ka kërkuar falje, e myslimanët – shpjegoi Annani – duhet ta pranojnë këtë kërkesë.
Edhe sot Annan bëri thirrje për moderim duke theksuar se fyerja nuk mund ta përligjë dhunën. Sekretari i përgjithëm i OKB-së u kërkoi qeverive si dhe autoriteteve fetare e civile të bëjnë ç’është e mundur për ta zbutur tensionin e për të shmangur veprime ose deklarata, që mund t’i trazojnë më tej shpirtrat e njerëzve.
E sot u fol për veprimtari të përbashkët të Bashkimi Evropian dhe Botës Arabe për t’i dhënë kështu fund dhunës. Thirrjen për bashkëpunim e bëri sot paradite ministrja suedeze e punëve të jashtme, Laila Freivalds.
Duhet hartuar një deklaratë, për të pohuar së bashku se ky konflikt nuk është në favor të interesave të përbashkëta e nuk e pasqyron drejtë situatën, në të cilën nuk mungojnë përpjekjet për zhvillimin e një bashkëpunimi sa më të ngushtë” – tha ministrja suedeze në televizion.
Ndërkaq, në një intervistë dhënë gazetës italiane “ Corriere della Sera, gazetari danez Fleming Rose, që ka porositur e pastaj ka botuar karikaturat që shkaktuan gjithë këtë revoltë, deklaron se nuk është penduar fare, madje se është i kënaqur për debatin që ka shpërthyer pas publikimit të satirave, gjë që duhet t’i vlejë shumë edhe botës myslimane.







All the contents on this site are copyrighted ©.