2006-02-03 17:50:51

Benedikti XVI vendosi ta japë ndjesën e plotë me rastin e kremtimeve për Ditën e 14-të Botërore të të Sëmurit më 11 shkurtin e ardshem.


Benedikti XVI do të japë ndjesën e plotë me rastin e kremtimeve për Ditën e 14-të Botërore të të Sëmurit, që do të arrijë kulmin më 11 shkurt, me kremtimin eukaristik në katedralen australiane të Adelajdes.
Udhëzimet e këtij vendimi Papnor janë në Dekretin që u publikua sot më 3 shkurt nga Kryependestari, kardinali Xhejms Frensis Staford.
***
Benedikti XVI – lexohet në dokument – e jep këtë ndjesë me shpresë se do të nxisë promovimin e veprave e të nismave të përshpirtërisë popullore dhe të solidaritetit shoqëror në favor të të sëmurëve, posaçërisht të njerëzve me të meta mendore, të cilët rrezikohen më shumë për t’u përjashtuar nga shoqëria e madje edhe nga vetë familja e tyre.
Në Mesazhin e tij për Ditën e të Sëmurit, që u publikua në dhjetorin e kaluar, Papa bën thirrje për t’i shoqëruar mjekimet e duhura, me një sensibilitet të ri për këtë kategori të sëmurësh, duke vërejtur se në shumë vende të botës shërbimet ndaj të sëmurëve mendorë mungojnë, janë të pamjaftueshme ose në shpërbërje.
Kështu, më 11 shkurt, në përkujtimin e Zojës Lurdë – besimtarët që marrin pjesë në ndonjë nga kremtmimet kishtare në katedralen e Adelajdes, ose në vende të tjera të caktuara nga autoritetet kishtare – lexohet në Dekret – mund ta fitojnë ndjesën e plotë, pasi të kenë plotësuar këto kushte: të jenë rrëfyer, kunguar e të jenë lutur sipas ndjeteve të Papës.
Dokumenti i Pendestarisë Apostolike u drejtohet edhe besimtarëve që nuk mund të marrin pjesë ndër kremtime, sepse janë të impenjuar në spitale ose në shtëpi, në asistencën e të sëmurëve, e sidomos të atyre që – siç saktëson Dekreti – kërkojnë më tepër kujdes, durim e vëmendje për shkak të të metave mendore. Edhe këta fitojnë ndjesën e plotë – vijon Dokumenti – në se në këtë ditë do t’u shërbejnë për ndonjë orë të sëmurëve, si ta bënin këtë për vetë Jezusin, me shpirtin larg çdo lloj mëkati e me premtimin për të plotësuar sa më shpejt që të jetë e mundur kushtet e kërkuara për të fituar ndjesën e plotë
Në të njëjtën mënyrë mund ta fitojnë këtë ndjesë edhe të sëmurët, në pamundësi për të marrë pjesë në kremtimet e 11 shkurtit, me kusht që të marrin pjesë shpirtërisht së bashku me Papën në lutjen për të sëmurët, duke ofruar vuajtjet e tyre. Së fundi, Dekreti i Benediktit XVI u jep ndjesë të pjesëshme, nga 9 deri më 11 shkurti i ardhshëm, të gjithë besimtarëve, sa herë që me zemër të penduar, do t’i drejtojnë Zotit të mëshirshëm lutje të devoçme për t’ua lehtësuar vuajtjet të sëmurëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.