2006-02-02 12:33:21

Benedikti XVI - Mesazhi për Kreshmët 2006


Mesazhi për Kreshmët 2006: ‘Jezusi, kur e pau turmën, ndjeu dhembshuri për të’.

Fort të dashur vëllezër e motra!
Kreshmët janë kohë e privilegjuar për shtegtimin? shpirtëror drejt Atij, që është burimi i dhëmbshurisë. Është shtegtim në të cilin na shoqëron Ai vetë përmes shkretëtirës së varfërisë sonë, duke na ndihmuar në rrugën drejt gëzimit të thellë të Pashkëve. Edhe ‘në luginën e errët të hijes së vdekjes’ për të cilën flet Psalmisti (Ps. 23, 4), ndërsa tunduesi na shtyn të dëshprohemi ose t’i mbështesim shpresat e rreme në veprën e duarve tona, Zoti na ruan e na mbron. Po, edhe sot Zoti e dëgjon zërin e turmave që kanë uri për gëzim, për paqe, për dashuri. Ashtu si në çdo epokë, ata ndjehen të braktisura. E megjithatë, edhe në pikëllimin e mjerimit, të vetmisë, të dhunës e të urisë, që godasin pa përjashtim pleq, të rritur e fëmijë, Zoti nuk lejon që të zotërojë errësira e tmerrit. Ashtu si ka shkruar Paraardhësi im i dashur, Gjon Pali II, ka një kufi hyjnor për të keqen, e kjo është dhëmbshuria. (Kujtesë dhe identitet, fq. 29). Në këtë perspektivë vura në krye të këtij Mesazhi, fjalët ungjillore, sipas të cilave “Jezusi, kur e pau turmën, ndjeu dhembshuri”( Mt. 9, 36) . Në këtë dritë dua të ndalem e të reflektoj mbi një problem shumë të diskutuar nga bashkëkohësit: mbi problemin e zhvillimit. Edhe sot, sytë plot dhembshuri të Krishtit, vijojnë t’i vështrojnë njerëzit dhe popujt. Ai i shikon, duke e ditur se ‘plani’ hyjnor parashikon thirrjen e tyre për t’u shëlbuar. Jezusi i njeh rreziqet që i kundërvihen këtij plani e prandaj ndjen dhembshuri për turmat: vendos t’i mbrojë nga ujqërit edhe me çmimin e jetës së vet. Është ky vështrimi me të cilin Jezusi rrok njerëz të veçantë e turma e të gjithë bashkë ia dorëzon Atit, duke dhuruar vetveten si flije shpërblimi.
E ndriçuar nga kjo e vërtetë, që buron nga Pashkët, Kisha e di se për të promovuar zhvillimin e plotë, është e nevojshme që vështrimi ynë të matet me atë të Krishtit. Në të vërtetë, nuk është e mundur kurrsesi ta ndash përgjigjen që u duhet dhënë njerëzve për nevojat e tyre materiale e shoqërore, nga përpjekja për të kënaqur nevojat më të thella të zemrës së tyre. E është kjo që duhet theksuar më tepër në epokën tonë të shndërrimeve, në të cilën e perceptojmë në mënyrë gjithnjë më të gjallë e urgjente, përgjegjësinë tonë ndaj të varfërve të botës. Prej kohe Paraardhësi im i nderuar, Papa Pali VI, i shikonte saktësisht mangësitë e prapambetjes, si një largim nga humaniteti. Në këtë këndvështrim, në enciklikën ‘Populorum progressio’ ai denonconte ‘mangësitë materiale të atyre, të cilëve u mungojnë edhe gjërat më të domosdoshme për jetesën, por jo më pak edhe mangësitë morale të atyre, që janë gjymtuar nga egoizmi… strukturat shtypëse, si ato që vijnë nga shpërdorimet e pronës, ashtu edhe ato që burojnë nga shpërdorimet e pushtetit, nga shfrytëzimi i punëtorëve dhe nga padrejtësitë e tranzicionit. (n. 21). Si ilaç kundër këtyre të këqijave, Pali VI këshillonte jo vetëm ‘të merren parasysh dinjiteti i të tjerëve, orientimi drejt shpirtit të varfërisë, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët e vullneti për paqe.’, por edhe ‘njohja nga ana e njeriut e vlerave më larta dhe e Zotit, i cili është burimi dhe caku i fundit i tyre. (ibid). Në këtë vijë, Papa nuk ngurronte të propozonte “sidomos fenë, dhuratë e Hyjit e pranuar nga vullneti i mirë i njeriut dhe unjësimin në dashurinë e Krishtit’ (ibid). Prandaj vështrimi i Krishtit mbi turmën, na detyron të afirmojmë “humanizmin e përgjithshëm’, i cili ka të bëjë me zhvillimin në përgjithësi të njeriut dhe të të gjithë njerëzve’ (ibid, n. 42).
Për këtë arsye, ndihmesa e parë që jep Kisha për zhvillimin e njeriut e të popujve nuk përqëndrohet në mjetet materiale ose në rrugëzgjidhjet teknike, por në kumtimin e të vërtetës së Krishtit, e cila edukon ndërgjegjet dhe mëson dinjitetin e vërtetë të njeriut e të punës, duke promovuar formimin e një kulture, që i përgjigjet me të vërtetë të gjitha kërkesave të njeriut.
Përballë sfidave të tmerrshme të varfërisë në shumë vende të botës, indiferenca dhe mbyllja brënda interesave vetjake krijojnë një kontrast të palejueshëm me ‘vështrimin’ e Krishtit. Agjërimi dhe lëmosha të cilat, së bashku me lutjen, Kisha i propozon në mënyrë të posaçme në periudhën e Kreshmëve, janë rast i zgjedhur për të përkuar me këtë vështrim.
Shembujt e shenjtorëve dhe përvoja e pasur misionare që karakterizojnë historinë e Kishës, janë tregues të çmuar mbi mënyrën më të mirë që duhet zgjedhur për të mbështeur zhvillimin. Edhe sot, në kohën e ndërvartësisë globale, mund të vërehet se asnjë projekt ekonomik, shoqëror ose politik nuk e zevendëson dhurimin e vetvetes për tjetrin, në të cilin gjen shprehjen e vet dashuria e krishterë. Kush vepron sipas kësaj logjike ungjillore, e jeton fenë si miqësi me Zotin e mishëruar dhe, ashtu si Ai, i bën të vetat nevojat materiale e shpirtërore të të afërmit. E shikon si mister të pamatshëm, të denjë për kujdes e vëmendje të pakufishme. E di se kush nuk e jep Zotin, jep tepër pak , siç thoshte e Lumja Tereza e Kalkutës: “Varfëria e parë e popujve është mosnjohja e Krishtit”. Prandaj duhet ta gjejmë Zotin në fëtyrën e mëshirshme të Krishtit: pa këtë perspektivë, asnjë qytetërim nuk mund të ndërtohet mbi baza të shëndosha.
Falë burrave e grave që i binden Shpirtit Shenjt, në Kishë kanë lindur shumë vepra bamirësie për promovimin e zhvillimit: spitale, universitete, shkolla për përgatitjen profesionale, mikrosipërmarrje. Janë nisma të cilat, shumë më shpejt sesa shprehje të tjera të shoqërisë civile, kanë dhënë prova të shqetësimit të sinqertë për njeriun nga ana e njerëzve të vënë në lëvizje prej lajmit ungjillor. Këto vepra tregojnë rrugën për ta udhëhequr edhe sot botën drejt një globalizimi, që duhet të ketë në qëndër të vëmendjes të mirën e vërtetë të njeriut e kështu ta çojë edhe drejt paqes së vërtetë.
‘Me të njëjtën dhembshuri të Jezusit për turmat, Kisha e ndjen edhe sot për detyrë t’u kërkojë atyre që kanë përgjegjësi politike e që kanë ndër duar levat e pushtetit ekonomiko-finaciar të promovojnë një zhvillim të bazuar mbi respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Një vërtetim i rëndësishëm i kësaj përpjekjeje do të jetë ‘liria reale fetare’, që nuk kuptohet thjeshtë si mundësi për ta kumtuar e për ta kremtuar Krishtin, por edhe për të kontribuar në ndërtimin e një bote të frymëzuar nga dashuria. Në këtë përpjekje bën pjesë edhe vlerësimi real i rolit qëndror që luajnë vlerat fetare në jetën e njeriut, si përgjigje për pyetjet e tij më të thella e si motivim etik lidhur me përgjegjësitë e tij personale e shoqërore.
Janë këto kriteret, mbi bazën e të cilave të krishterët duhet të mësojnë të vlerësojnë me urti edhe programet e atij që qeveris.
Nuk mund t’i fshehim gabimet që janë bërë në rrjedhë të historisë nga ata, të cilët e quanin veten ‘nxënës të Krishtit’. Jo radhë herë, përballë përgjegjësisë për probleme të rënda, ata menduan se duhej të përmirësohej më parë toka, pastaj të mendohej për qiellin. Tundimi i shtynte të mendonin se përballë problemeve që prisnin zgjidhje urgjente, duhej në radhë të parë të ndryshonin strukturat e jashtme. E kjo, për disa, pati si pasojë shndërrimin e krishtërimit në moralizëm, zevendësimin e besimit me të vepruarit. Me arsye, prandaj, Paraardhësi im i nderuar, Gjon Pali II vërente: “Tundimi sot është që kristianizmi të kufizohet në një dije thjeshtë njerëzore, gati-gati në një shkencë, që e ndihmon njeriun të jetojë mirë. Në një botë tepër të shekullarizuar, ka ndodhur një shekullarizim i shkallshkallshëm i shëlbimit, në të cilin luftohet sigurisht për njeriun, por për një njeri të përgjysmuar. Në sa ne e dimë se Jezusi erdhi për të sjellur shëlbimin e plotë”. (Enc. Redemptoris missio, 11).
E Kreshmët duan të na prijnë pikërisht drejt këtij shëlbimi të plotë lidhur me fitoren e Krishtit mbi çdo të keqe që shtyp njeriun. Duke e dashur Mësuesin hyjnor, duke u kthyer tek Ai, duke provuar mëshirën dhe dhëmbshurinë e Tij në sakramentin e Pajtimit, zbulojmë një ‘vështrim’ që shqyrton deri në fund të shpirtit e që mund të rifrymëzojë turmat dhe secilin nga ne. Ai ua rikthen shpresën atyre që nuk mbyllen në skepticizëm, duke u hapur përballë perspektivën e të lumit amshim. Historia dëshmon se Zoti, edhe kur duket se sundon urrejtja, nuk harron kurrë të japë dëshminë e tij të ndritshme të dashurisë. Marisë ‘burimit të gjallë të shpresës’ (Dante Alighieri, Parajsa, XXXIII, 12) ia besoj rrugën tonë të Kreshmëve, që të na prijë drejt Birit të saj. Asaj ia besoj, në mënyrë të veçantë, turmat, të cilat ende sot, të vëna në provën e varfërisë, kërkojnë ndihmë, mbështetje, mirëkuptim. Me këto ndjenja ju jap të gjithëve nga zemra, një bekim të posaçëm Apostolik.

Nga Vatikani, 29 shtator 2005.









All the contents on this site are copyrighted ©.